Moviola/ Goli i parë i Anglisë duhej anuluar, VAR penalizoi Shqipërinë (VIDEO)
Një humbje si ajo e pësuar në Wembley, do të mbetet një kujtim i hidhur në memorien e opinionit sportiv për një kohë shumë të gjatë. Ndonëse kundër një prej kombëtareve më të forta të botës, në një nga ndeshjet e tyre më të mira, justifikimet për atë rezultat në raport me gjithçka kemi dëshmuar në këto eleminatore nuk ngushëllojnë askënd.
As zhvendosja kundër e të gjitha episodeve të ndeshjes. Megjithatë, njëri prej tyre meriton të veçohet. Pikërisht goli i parë i Anglisë. Në zhvillimet e një goditje dënimi të ekzekutuar me mjeshtri nga James dhe të interpretuar në përfeksion nga të gjithë lojtarët anglezë, pozicionimi dhe ndërhyrja e Kalvin Phillips ndaj Klaus Gjasulës, duhej sinjalizuar pozicion jashtë loje.
Pamjet konfirmojnë qartë se mesfushori anglez është dukshëm përtej linjës së mbrojtjes sonë dhe përfshirja me qëllim për të penguar Gjasulën, duhej dënuar nga gjyqtari anësor.
Nëse ndërhyrja e tij ishte deri diku e justifikuar nga intesiteti i zhvillimit të aksionit, zhgënjimi më i madh vjen nga arbitrat në dhomën e VAR, që nuk e morën në konsideratë këtë rast, që sipas rregullores dhe të gjitha udhëzimeve duhej ta anullonte golin për pozicion jashtë loje. Dhe në atë moment kur furia e anglezëve ishte në kulmin e saj, anullimi i golit do ta mbante rezultatin 0-0 dhe mund të ndikonte në ecurinë e ndeshjes.
Të gjithë jemi dëshmitarë, se VAR në këto eleminatore na ka penalizuar edhe në një tjetër takim kyç si ai kundër Polonisë, në të cilin arbitri dhe VAR nuk sinjalizuan një penallti të pastër ndaj Manajt, kur rezultati ishte në shifrat 3-1.
Gabimet e arbitrave kanë qenë bashkëshoqëruese të lojës së futbollit, por investimi i rëndësishëm për praninë e teknologjisë VAR dhe një protokoll i qartë për ndërhyrjet e tij, do të duhej të minimizonte vendimet e gabuara të arbitrave në fushën e lojës.
Për fat të keq, të gjithë jemi dëshmitarë se kombëtarja jonë është penalizuar nga mungesa e ndërhyrjes së VAR-it në dy momente, që ndoshta nuk do kishin ndryshuar rezultatin, por lënë shijen e hidhur të padrejtësisë.



