Mungon akordi me Partizanin për Europën, Artur Magani kthehet te Feronikeli
Në stërvitjen e parë të Partizanit për edicionin e ri, befasia e madhe ishte prania e Artur Maganit. Sulmuesi peqina gjatë sezonit të kaluar shkëlqeu me Lirinë në Superligën e Kosovës dhe në fund të majit të kaluar firmosi te Feronikeli. Një situatë që krijoi konfuzion dhe nxiti frikën e një përplasjeje të mundshme institucionale ndërmjet klubit kryeqytetas me ekipin nga Drenasi.
Transferimi i një lojtari që është nën kontratë diku tjetër, pa hyrë në negociata dhe pa gjetur akordin ka penalitete të rënda financiare, megjithatë as Partizani dhe as vetë Magani nuk kishin si synim të dëmtonin Feronikelin. Klubi i kuq dhe sulmuesi punuan rreth mundësisë së bashkëpunimit vetëm në Europa League, bazuar në faktin që ekipi nga Drenasi nuk luan në arenën ndërkombëtare dhe duke shfrytëzuar marrëdhëniet e mira me trajnerin Sulejman Starova.
Por, pavarësisht të gjithave, aventura e Artur Maganit te Partizani zgjati vetëm pak orë. Sulmuesi nuk arriti marrëveshjen me drejtuesit e 15-herë kampionëve dhe bëri mbrapa ktheu, për të nisur përgatitjet për sezonin e ri me Feronikelin, me ish-kampionët që synojnë të rikthehen te titulli në Superligën kosovare.



