Nadal në historinë e tenisit, spanjolli triumfon në Australian Open dhe vendos rekord
Më i madhi i të gjitha kohërave. Rafael Nadal shkruan historinë e tenisit botëror duke u bërë i pari sportist që arrin kuotën e 21 turneve Grand Slam të fituar në karrierë, më shumë se kushdo tjetër. Për të parakaluar Roger Federer dhe Novak Djokovic në klasifikimin e tensitëve më fitues, spanjollit iu desh të bënte një përmbysje epike në finalen e Australian Open përballë rusit të talentuar Danil Medvedev në një ndeshje që zgjati rreth 5 orë e gjysmë.
Nadal arriti të përmbyste dy sete duke fituar për herë të dytë në karrierë Australian Open dhe duke e nisur vitin 2022 në mënyrën më të mirë. Spanjolli tashmë 35-vjeçar shfrytëzoi në maksimum mungesat e dy rivalëve të tij Djokovic dhe Federer të cilët nuk morën pjesë në grand slam-in e parë të vitit për arsye të ndryshme, duke triumfuar në një turne që në start shihej nga bookmakers-at vetëm si favoriti numër 6 për t’i shkuar deri në fund.
Eksperienca dhe dëshira e Nadal për t’u bërë më i madhi i më të mëdhenjëve triumfuan përballë grintës dhe klasit të Medvedev i cili në karrierë ka fituar vetëm një turne Slam, pikërisht US Open të vitit 2021. Spanjolli fitoi sërish në Australian Open pas plot 13 vitesh pasi titullin e parë dhe të vetëm e kishte fituar në 2009-ën duke thyer çdo pritshmëri pasi vinte nga një dëmtim i gjatë dhe titullin e fundit Slam e kishte fituar në 2020-ën në Roland Garros, turneun e tij të preferuar.
Në fakt sfida mbi çimenton e Melbourne nisi në mënyrën më të keqe për Rafën që humbi dy sete me shërbimet e tij e tija dhe gjithë setin e parë me shifrat 2-6. Seti i dytë ishte shumë më i balancuar me të dy tensitët që fituan nga dy game me break por në fund buzëqeshi sërish Medvedev me rusin që triumfoi 5-7 në tiebreak duke fituar gjithë setin 6-7 dhe duke marë kryesimin e ndeshjes në 2-0, një set që zgjati plot 1 orë e 24 minuta.
Atëherë kur u mendua se 10 vitet diferencë do të ndiheshin dhe kur Medvedev po shkonte drejt fitimit të grand slam-it të dytë në karrierë, erdhi edhe përmbysja e Nadal. Spanjolli tregoi se nuk dorëzohet kurrë dhe shfaqi në fushë repertorin e tij më të mirë duke fituar setin e tretë me shifrat 6-4 dhe të 4-in gjithashtu me të njëjtat shifra, set në të cilin fitoi dy game me break. Seti final dhe ai që vendosi fatet e sfidës u diktua sërish nga numri 5 i botës që arriti t’i merrte turin e shërbimit rusit në game-in e 5-të, me Nadal që mbrojti me fanatizëm shërbimet e tij në game-in e 6-të në të cilin u regjistruan 5 barazime.
Gjithsesi Medvedev nuk e kishte thënë ende fjalën e fundit, me rusin që u rikthye në ndeshje duke fituar game-in e 10-të këtij seti me break dhe duke barazuar shifrat në 5-5, por kundërpërgjigjia e Nadal erdhi menjëherë në game-in më pas me spanjollin fitoi sërish një tjetër pikë me tiebreak duke marë kryesimin 6-5. I gjithë seti u mbyll me fitoren 7-5 të spanjollit në një ndeshje maratonë që i kaloi 5 orë e 25 minuta, për një fitore historike të tenistit nga Mallorca që tashmë mund të konsiderohet pa frikë si më i miri i më të mirëve në sportin e aristokratëve.



