Nagelsmann hedh dyshime mbi stërvitjen në Itali: Futbollistët atje nuk ruajnë dot formën
Largimi i Mathijs De Ligt nga Juventusi drejt Bayernit, ka mbushur arkat e bardhezinjve, por të në njëjtën kohë ka shkaktuar edhe polemika, pasi Bonucci reagoi ashpër ndaj deklaratave të holandezit se pret që të shënojë me shumë në Bavari.
Gjithsesi së fundi “benzinë zjarrit” i hodhi edhe trajneri Julian Nagelsmann, që bëri ironi mbi metodat stërvitore në Itali dhe deklaroi se atje futbollistët e kanë shumë të vështirë të ruajnë formën fizike gjatë gjithë sezonit.
“Kam folur me De Ligt pas stërvitjes dhe më tha se kjo ishte seanca më e vështirë për të në katër vitet e fundit. Në të vërtetë ishte një stërvitje normale e jona dhe sipas mjekut të skuadrës, nuk ishte aspak e vështirë. Kam dëgjuar se në Itali është e vështirë të ruash formën fizike, ndaj do të na duhet të punojmë shumë me De Ligt”, u shpreh Nagelsmann.
Deklarata e trajnerit të Bayernit të Mynihut hedh dyshime mbi intensitetin e stërvitjeve të skuadrave në Itali dhe në të njëjtën kohë edhe mbi aftësitë e përgatitësve atletikë atje.
Fjalët e Nagelsmann përforcojnë atë që thuhet më së shpeshti për skuadrat italiane, të cilat nuk po arrijnë të bëjnë mirë në Europë, pikërisht pasi vuajnë intensitetin me të cilin luajnë klubet e tjera.



