Nagelsmann provokon para ndeshjes së San Siro-s: Union Berlin i ngjason Interit!
Bayern Munich luan në transfertë ndeshjen e javës së pestë në Bundesligë teksa përballet me Union Berlin, një nga skuadrat më në formë të këtij fillim sezoni dhe që ka grumbulluar 10 pikë, po aq sa edhe bavarezët.
Megjithatë, pavarësisht statistikave, trajneri i rekordmenëve gjermanë, Julian Nagelsmann duket se mendjen e ka te përballja e radhës, ajo në Champions League ndaj Inter në San Siro. Tekniku 35-vjeçar theksoi se përgatitjen ndaj zikaltërve do ta nisë prej ndeshjes së kampionatit me Union Berlin, pasi sipas tij dy skuadrat janë të ngjashme sepse luajnë me të njëjtën skemë, 3-5-2.
“Union Berlin dhe Inter janë skuadra të ngjashme, luajnë të dyja me skemën 3-5-2 dhe bazohen tek shpejtësia në krahë dhe harkimet që vijnë nga lojtarët anësorë. Ne mendojmë vetëm të marrim tre pikët ndaj Union Berlin, por do të jetë edhe një ndeshje testuese në prag të përballjes me Inter”, u shpreh Nagelsmann.



