Napoli “shfryn” ndaj Sassuolos, shënon edhe Rrahmani, Verona shtang Cagliarin
Napolit duket se I ka bërë shumë mirë grumbullimi pas humbjes së papritur 3-2 në fushën e Empolit. Ekipi I drejtuar nga Spalletti mposhti me rezultat tenistik 6-1 Sassuolon në përballjen e javës së 35-të e tashmë shkon në kuotën e 70 pikëve, në vendin e tretë.
Napolitanët e nisën furishëm takimin, duke shënuar plot katër gola brenda 21 minutave lojë, praktikisht duke e siguruar fitoren edhe pa u nxehur mirë muskujt. E zhbllokoi Koulibaly që në minutën e 7-të, pas asistit të marrë nga Insigne, ndërsa në të 15-tën dyfishoi Osimhen. Më pas shënuan emrin në listën e golashënuesve Lozano (19’) dhe Mertens (21’). Në pjesën e parë nuk pati më ndryshim rezultati, për të ardhur më pas te minuta e 54-t, kur Mertens shënoi të dytin personal dhe të pestin për Napolin.
Në të 80-tën e tundi rrjetën edhe Amir Rrahmani, për të cilin ishte finalizimi i tretë në këtë sezon, ndërsa tri minuta para përfundimit të kohës së rregullt Maxim Lopez realizoi direkt nga këndi golin e nderit për Sassuolon, që pas kësaj disfate mbetet në kuotën e 46 pikëve, pa objektiva në këtë pjesë të fundit të sezonit.
Humbje e papritur e Cagliarit në shtëpi përballë Veronës, me skuadrën ishullore që tashmë rrezikon seriozisht rënien nga Seria A. 1-2 fituan veronezët, që shënuan dy herë brenda pjesës së parë me Barak dhe Caprari, ndërsa vendësit shkurtuan diferencën në 1-2 me Joao Pedron, finalizim që gjithsesi nuk shërbeu për pikë.



