Napoli siguron vendin e dytë, përmbys në frymën e fundit Cagliarin
Napoli siguron edhe matematikisht vendin e dytë në Serinë A. Skuadra e drejtuar nga Carlo Ancelotti fitoi në frymën e fundit dhe me përmbysje 2-1 me Cagliarin, që deri 5 minuta para përfundimit të kohës së rregullt ishte përgatitur për të festuar fitoren.
Pjesa e parë e sfidës së zhvilluar në “San Paolo” u mbyll me rrjeta të paprekura, ndërsa në minutën e 63-të, Pavoletti përmbylli me gol një kundërsulm të shpejtë të miqve.
Napoli e shtoi ndjeshëm presionin pas golit të pësuar, derisa arriti të barazonte në të 85-ën me Mertens. Vonesat e shumta të lojës e detyruan gjyqtarin të akordonte 5 minuta shtesë dhe pikërisht përtej kohës së rregullt erdhi mometi i kontestuar pas vendimit të kryesorit Chiffi, pasi kërkoi edhe ndihmën e VAR-it, për të dhënë 11-metërsh për Napolin, për prekje të topit më dorë nga një futbollist i Cagliarit. Pati kontestime të ashpra nga lojtarët miq, me kryesorin që i tregoi kartonin e kuq Ionitas. Nga pika e bardhë e penalltise Lorenzo Insigne shënoi golin e përmbysjes “in-extremis”.



