Basketboll

NBA, Davis “jashtëtokësor”, buzëqeshin Miami, Indiana e Minnesota

Ishin vetëm 4 ndeshjet në mbrëmjen e Nba, por vëmendjen e tërhoqi të gjithën Anthony Davis. Ylli i New Orelans Pelicans me një paraqitje prej jashtëtokësori vendosi fatet e sfidës që u zhvillua në New York ku New Orelans arriti të mposhte pas kohës shtesë me rezultatin 123-118 vendasit e New York Knicks. 48 pikë dhe plot 17 rebound koleksionoi Davis në këtë përballje  duke u shfaqur thjeshtë i jashtëzakonshëm mbi parket ndërsa Jrue Holiday shtoi 31 pikë të tjera në suksesin e 22-të sezonal të Pelicans që me këtë fitore u ngjitën në vendin e 6-të të Konferencës së Perëndimit. Një sukses të lehtë mori Miami Heat që në American Airlines Arena të Floridas kaloi Milwaukee Bucks me rezultatin 97-79. 25 pikë realizoi, slloveni Goran Dragic në fitoren e skuadrës së trajnerit Eric Spoelstra ndërkohë që miqëve nga Winsconsin në krahun tjetër nuk u mjaftuan 22 pikët që shënoi greku Giannis Antetokounmpo. Me këtë sukses Miami u konfirmua si skuadra e momentit në NBA, me Heats që regjistruan fitoren e 7-të radhazi dhe të 25-ën sezonale aq sa kualifikimi në play-off duket një mision i kryer tashmë për formacionin nga Florida. Në mbrëmjen e NBA, shkëlqeu edhe Indiana Pacers. Skuadra nga Indianapolis shkatërroi Phoenix Suns me rezultatin 120-97 brenda në Arizona. Falë një pjese të parë fantastike dhe 21 pikëve të realizuara nga Jackson, 19 nga Collison dhe 17 nga Olapido, Indiana regjistroi suksesin e 23-të sezonal dhe për momentin pozicionohet në vendin e 7-të në Lindje. Jimmy Butler dhe Jeff Teague ishin dy heronjtë e padiskutueshëm të Minnesota Timberwolves në fitoren që mori skuadra nga Minneapolis përballë Portland Trail Blazzers me rezultatin 120-103. 24 pikë 4 asist dhe 5 rebound koleksionoi Butler në këtë sfidë ndërkohë që Jeff Teague shtoi 22 të tjera me Minnesotan që vijoi  ecurinë fantastike duke e çuar në 5 numrin e fitoreve radhazi.

Të Fundit

EVENTET NË SUPERSPORT

To Top
Evolve Web Agency Evolve Web Agency