NBA, fitojnë Warriors dhe Houston, Bostoni i pandalshëm në Lindje
Golden State Warriors tregon muskujt në parketin e Philadelphia 76ers, duke fituar me rezultatin 116 – 124, falë paraqitjes mbresëlënëse të dy emrave të mëdhenj si Stephen Curry dhe Kevin Durant, që realizuan respektivisht 35 dhe 27 pikë. Starti pozitiv i 76ers rezultoi i rremë, pasi kampionët në fuqi shpërthyen që në periodën e pare, duke shënuar plot 47 pikë, përkundrejt 28 të kundërshtarit, me përballjen që praktikisht u mbyll ende pa nisur mirë. Këtë avantazh prej 19 pikësh Warriors e administruan mirë, edhe pse në fund fituan me vetëm 8 pikë diferencë. Për Philadelphian Simmons dhe Embiid u ndalën respektivisht me 23 dhe 21 pikë.
Fiton Golden State, por nuk ndalet as Houston Rockets, që triumfoi 83 – 105 në parketin e Memphis Grizzlies. Si zakonisht, te kryesuesit e Konferencës së Perëndimit spikati James Harden me 29 pikë. Teksanët janë bërë vërtet të frikshëm edhe me rikthimin nga dëmtimi të Chris Paul, që shënoi 17 pikë dhe dha 6 asist.
Nuk di të ndalet Boston Celtics, që koleksionoi fitoren e 15-të për të blinduar kryesimin në Konferencën e Lindjes. 99 – 110 triumfuan Celtics në parketin e Atlanta Hawks, me dyshen Irving-Brown që realizoi në total 57 pikë.
Dallas Mavericks sheh më në fund dritë në fund të tunelit, teksa mposhti 111- 79 Milwaukee Bucks 111-79. Matthews rezultoi më i miri për vendadasit me 22 pikë, duke e bërë të pavlefshme paraqitjen e Antetokounmpo dhe të Middleton, që shënuan respektivisht 24 dhe 23 pikë. Në takimet e tjera u arritën këto rezultate: Charlotte Hornets-Los Angeles Clippers 102-87, Orlando Magic-Utah Jazz 85-125 dhe Portland Trail Blazers-Sacramento Kings 102-90.



