Basketboll

NBA/ Harden rikthen Houstonin te fitorja, Warriors mposhtin pa problem Lakers

Kampionët në fuqi të NBA, Golden State Warriors janë rikthyer menjëherë te fitorja, sepse pas dështimit përballë Philadelphia 76ers, mposhtën Los Angeles Lakers me rezultatin 115-101.

Në “Oracle Arena” të Oaklandit, Warriors fituan pastër fraksionin e parë dhe të fundit, duke siguruar edhe diferencën e madhe, ndërsa Lakers u munduan të bëjnë diçka në pjesën e dytë dhe të tretë, por pa arritur të shmangin humbjen.

James Harden dhuroi një tjetër paraqitje të magjishme, duke shënuar 43 pikë dhe regjistruar edhe 5 asiste e 12 rikuperime, shifra këto që ndihmuan Houston të rikthehet te fitorja, pas dy humbjeve radhazi.

Rockets mposhtën me rezultatin e thellë 98-125 në transfertën ndaj Utah Jazz, në një sfidë të cilën e dominuan totalisht dhe arritën të fitojnë çdonjërin prej 4 fraksioneve.

Denver Nuggets vijoi me serinë e fitoreve, duke e çuar në 6 radhazi numrin e tyre, teksa mbrëmjen e djeshme mposhti me vetëm një pikë diferencë 106-107, Minnesota Timberwolves në transfertë.

Vendasit fituan bindshëm në fraksionin e parë të ndeshjes, por nuk arritën të ruanin vazhdimësinë, duke humbur avantazhin në pjesët pasardhëse, ndërsa loja e mirë e Towns, me 31 pikë, 7 asiste dhe 12 rikuperime, nuk u shërbeu aspak për të shmangur humbjen.

Antetokoumpos udhëhoqi sërish Milwaukee Bucks drejt suksesit 115-131, në transfertën ndaj Washington Wizards, pasi greku arriti të kontribuojë me 37 pikë, dy asiste dhe 10 rikuperime.

Çështjen e fitores në këtë transfertë, Bucks e zgjidhën që në gjysmën e parë të sfidës, ku edhe krijuan një shkëputje të konsiderueshme, që u lejoi të mos shqetësoheshin as nga një “black out” në fraksionin e tretë.

Kjo ishte fitorja e tretë radhazi për Milwaukee Bucks, që e udhëhequr nga basketbollisti grek, vijon të kryesojë me meritë në Konferencën e Lindjes, duke lënë pas kanadezët e Toronto Raptors.

Pas dy fitoreve shpresëdhënëse radhazi, Cleveland Cavaliers iu rikthye sërish “avazit të vjetër” të humbjeve, pasi u mposht në shtëpi me rezultatin 98-111, përballë Dallas Mavericks.

Këta të fundit, të udhëhequr nga basketbolisti slloven Doncic, i cili regjistroi 35 pikë, 6 asiste dhe 11 rikuperime, patën kontrollin e lojës gjatë gjithë kohës, duke humbur vetëm fraksionin e dytë të saj.

Në sfidat e tjera, Orlando Magic mposhti me rezultatin 102-89 Brooklyn Nets, Indiana Pacers triumfoi në Miami me rezultatin 88-95 dhe Sacramento Kings fitoi me rezultatin 115-108 ndaj Philadelphia 76ers.

Të Fundit

EVENTET NË SUPERSPORT

To Top
Evolve Web Agency Evolve Web Agency