Basketboll

NBA/ Lakers tirumfojnë me “triple-double”-in e LeBron, s’ndalen Jazz

Dy humbjet radhazi larg “Staples Center”, në Philadelphia dhe Detroit, që i dhanë fund rekordit të ri të franchise-t kalifornian prej 10 fitoresh radhazi jashtë fushe, u harruan shpejt nga Los Angeles Lakers dhe kampionët në fuqi regjistruan suksesin e tretë rresht, teksa mposhtën në shtëpi ekipin e Denver Nuggets. Pesë muaj më parë franchise nga Colorado shkoi deri në finalen e Konferencës së Perëndimit, ku gjithsesi Lakers ia dolën mbanë për të mbyllur serinë me triumfin 4-1, ndërsa këtë herë gjërat nuk nisën edhe aq mirë për ekipin e drejtuar nga trajneri Frank Vogel dhe për pasojë “liqenorët” shkuan në interval me disavantazhin e 12 pikëve.

Kampionët në fuqi reaguan mirë që në periodën e tretë dhe pas avantazhit 76-75 Lakers u shkëputën dhe nuk e kthyen më kokën pas. Gjithçka erdhi falë mbrojtjes së fortë, sepse pas disavantazhit 75-68 në 12’ e tretë Lakers realizuan plot 15 pikë radhazi, për të hyrë në periodën e fundit të takimit me epërsinë e tetë pikëve. Reagimi i ekipit të drejtuar nga trajneri Michael Malone ishte vërtet shumë i dobët dhe në vend që të ngushtohej diferenca në rezultat ndërmjet këtyre dy skuadrave u bë gjithmonë e më e madhe.

Përfundimisht Lakers fituan krejt takimin me shifrat 114-93, për të regjistruar fitoren e 16 sezonale. Në klasifikimin e përgjithshëm të Konferencës së Perëndimit vazhdojnë të kryesojnë basketbollistët e Utah Jazz dhe Los Angeles Clippers me përqindje të ndryshme, por me nga 17 fitore gjithsej, pra vetëm një më tepër se kampionët në fuqi.

Në Divizionin e Paqësorit Clippers kanë zhvilluar një ndeshje më shumë dhe kryesojnë me bilancin 17-6, ndërsa Lakers numërojnë 16 fitore e 6 humbje. “Mbreti” James e përfundoi takimin me triple–double: 27 pikë, 10 topa të rekuperuar e 10 asist në diçka më tepër se 35’ lojë, sidoqoftë te skuadra e drejtuar nga trajneri Frank Vogel në fund ishin plot shtatë lojtarë të ndryshëm që e mbyllën mbrëmjen me dy shifra, sa i përket kuotës së pikëve të shënuara.

Në krahun tjetër Nikola Jokic e përfundoi ndeshjen me vetëm 13 pikë e 10 rebound, gjithsesi kjo ishte humbja e dytë në tri sfidat e fundit për Nuggets, që në këtë mënyrë humbën akoma më shumë terren kundrejt kryesuesve të Perëndimit, teksa pozicionohen në vendin e katërt me 12 fitore në 20 sfidat e zhvilluara.

Utah Jazz vazhdojnë të bëjnë përpara me qetësi dhe franchise nga Salt lake City siguroi fitoren e 13-të në 14 takimet e fundit, teksa mundi brenda në Georgia, në “State Farm Arena”, përpara 1.261 spektatorëve, 112-91 skuadrën e Atlanta Hawks. Surpriza e mbrëmjes u regjistrua në Pensilvani, në “Wells Fargo Center”, ku ekipi i Portland-it u paraqit pa katër titullarë, që munguan për shkak të dëmtimeve të ndryshme, dhe me vetëm 9 lojtarë aktivë, megjithatë Trail Blazers, të udhëhequr nga dyshja Gary Trent Jr – Carmelo Anthony triumfuan 121-105 brenda në Philadelphia, duke iu shkaktuar kryesuesve të Konferencës së Lindjes humbjen e shtatë sezonale.

Për franchise-n nga Oregoni kjo ishte fitorja e 3-të në 4 takimet e fundit, ndërsa te vendasit spikati si zakonisht sulmuesi nga Kameruni Joel Embiid, që realizoi 37 pikë në diçka më pak se 34’ që u aktivizua gjithsej në parket.

Të Fundit

EVENTET NË SUPERSPORT

To Top
Evolve Web Agency Evolve Web Agency