NBA, përmbysje e “çmendur” e Bostonit, Houston befasohet në fund
Prozhektorët në mbrëmjen e NBA-së ishin drejtuar të gjithë te supersfida mes Bostonit dhe Houstonit me Celtics e Rockets që nuk zhgënjyen duke përmbushur të gjitha pritshmëritë. Spektakël dhe shumë emocione në Td Garden aty ku në fund buzëqeshën vendasit e Celtics të cilët realizuan një përmbysje fantastike duke kthyer një disavantazh prej 24 pikësh për të triumfuar tre sekonda përpara rënies së sirenës falë një koshi të Al Horford me rezultatin e ngushtë 99-98. James Harden më i miri mbi parket për skuadrën teksane kishte në duar topin që mund të mbyllte ndeshjen por mjekëroshi autori i 34 pikëve, 10 asisteve dhe 6 rebound-eve deri në ato momente bëri një gafë të rëndë pasi në tentativën për të futur topin në lojë nga vija fundore shkaktoi faull ndaj Smart.Topi kaloi në duart e Bostonit që iu falë magjisë së Al Horford për të realizuar përmbysjen e madhe, 3 sekonda nga fundi. Më i miri për skuadrën më të titulluar të NBA, ishte i përhershmi Kyrie Irving, autori i 26 pikëve. Për Houstonin që po vuan mungesën e Chris Paul kjo ishte humbja e 4-t radhazi dhe tashmë te skuadra teksane mund të përmendet pa frikë, fjala krizë.
Fitore e lehtë për San Antonio Spurs që në AT&T Center i shkaktoi disfatën e 4-t radhazi, New York Knicks. 119-107 ishte rezultati i sfidës në favor të të zotëve të shtëpisë të cilët në mungesë të yllit Kawhi Leonard iu falën dyshes LaMarcus-Aldrige-Pau Gasol. I pari realizoi 25 pikë ndërsa veterani spanjoll shtoi 17 pikë dhe 11 rebound në suksesin e Spurs.
Një ndeshje shumë emocionuese ishte edhe ajo që u zhvillua në Moda Center të Oregonit aty ku Portland Trail Blazzers kaloi me rezultatin 114-110 Philadelphia 76ers. 29 pikët e Embid nuk u mjaftuan miqëve nga Pensylvania pasi në fund skena ishte e gjitha për dyshen fantastike të Portlandit, McCollum-Lillard me këtë të dytin që realizoi në total 34 pikë.
Zhgënjen Minnesota Timberwolves. Formacioni nga Minneapolis u mposht në Winsconsin nga Milëaukee Bucks me shifrat 102-96. Për të marrë këtë fitore shumë të rëndësishme Milwaukee u mbështet te dy basketbollistët më të mirë që ka në skuadër Antetokunmpo dhe Bladsoe të cilët realizuan respektivisht 22 dhe 26 pikë.



