NBA, shkëlqen Oklahoma, fiton Golden State, bie Cleveland
Oklahoma u konfirmua si skuadra e momentit në NBA. City Thunder koleksionuan fitoren 6-të radhazi për meritë të tre yjeve të tyre. 81 pikë realizoi në total treshja e ëndrrave Westbrook-George-Anthony me Oklahomën që në Chesapeake Energy Arena mposhti lehtësisht Toronto Raptors 124-107. Për një natë rolin e liderit te City Thunder e mori Paul George i cili rezultoi pikëshënuesi më i mirë sfidës me 33 pikë duke udhëhequr Oklahomën drejt suksesit të 20-të sezonal. Për t’u përmendur edhe paraqitja e Rusell Westbrook i cili shkëlqeu në çdo aspekt të lojës, pasi koleksionoi në total 30 pikë ndërsa i ndihmoi të tijët edhe me 8 asiste e 13 rebound. Gjithçka e lehtë për kampionët në fuqi të Golden State Warriors. Në Oracle Arena, skuadra e Steve Kerr mposhti me rezultatin e thellë 126-101 Utah Jazz. Warriors u treguan edhe njëherë tjetër të gjithë skeptikëve se mungesa e Stephen Curry-it të dëmtuar nuk ndihet aspak në skuadër ndërsa Golden State konfirmoi se ka një grup fantastik lojtarësh pasi edhe në një ndeshje kur Durant e Thompson nuk shfaqen në superformë pasi të dy sëbashku realizuan në total 36 pikë, skuadra nga Oakland shkëlqeu mbi parket. Ndryshe nga Oklahoma dhe Golden State zhgënjeu Cleveland Cavaliers që u mposht në Kaliforni nga Sacramento Kings me rezultatin 109-95 duke pësuar humbjen e 11-të sezonale. Kevin Love dhe Lebron James nuk ishin në formën e tyre më të mirë dhe në mungesë edhe të Isaiah Thomas, Cleveland nuk bëri shumë rezistencë, ndërsa Sacramento për tu rikthyer te fitorja iu fal veteranit të saj Vince Carter i cili realizoi 24 pikë në këtë sfidë. U rikthye te fitorja Boston Celtics që në Karolinën e Veriut mposhti pa shumë vështirësi vendasit e Charlotte Hornets me rezultatin 102-91 për meritë edhe të dyshes Irving-Al Horford.



