NBA, Wizards në fazën finale të play-off, do të përballen me 76ers!
Kompletohet kuadri i 8-të skuadrave që do të rivalizojnë njëra-tjetrën në fazën play-off në Konferencën e Lindjes në NBA. Washington Wizards arriti të siguronte pjesëmarrjen në fazën finale të play-off pasi ia doli të mposhte Indiana Pacers me rezultatin 142-115 në Capital One Arena në kryeqytet duke siguruar kështu biletën e fundit për në play-off, si skuadra e pozicionuar në vendin e 8-të. Në fazën paraeliminatore të play-off skuadra kryeqytetase fillimisht humbi mundësinë për t’u pozicionuar si skuadra e renditur në vendin e 7-të në sezonin e rregullt pasi u mposht nga Boston Celtics, megjithatë Wizards shfrytëzuan maksimalisht mundësinë e dytë që patën duke dominuar me lojë dhe rezultat ndaj Indiana Pacers që për të mbrritur deri këtu kishte mposhtur lehtësisht Charlotte Hornets në raundin paraardhës.
Në çerekfinalet e Lindjes Bradley Beal dhe Rusell Westbrook me shokë do të kenë përballë skuadrën më të mirët të sezonit të rregullt në këtë Konferencë Philadelphia 76ers. Ndeshja ndaj Pacers ishte e ekuilibruar vetëm në periodën e parë sepse më pas gjithçka u dominua nga Wizards që e mbyllën pjesën e parë në avantazhin e 14 pikëve ndërkohë që në fraksionin e dytë thelluan epërsinë deri në 27 pikë për suksesin final 142-115. Më i miri mbi parket për skuadrën kryeqytetase ishte Bradley Beal i cili spikati me 25 pikë 5 rebound dhe 4 asiste, ndërkohë që Rusell Westbrook iu afrua një tjetër triple-double me 18 pikë 8 rikuperime poshtë tabelës dhe 15 pasime vendimtare.



