NBA,Oklahoma del nga kriza por zhyt Clippers-at, bie San Antonio, Boston fiton të 11-n rresht
Duhej një Paul George në versionin e tij më të mirë që Oklahoma City Thunder të largonte krizën që e kishte përfshirë dhe të zhyste në një rrugë pa kthim Los Angeles Clippers. Ish lojtari i Indiana Pacers shkëlqeu në sfidën përballë skuadrës kaliforniane duke bërë për një natë, Rusell Westbrook të City Thunder. George koleksionoi 42 pikë, 7 asist e 9 rebound në suksesin 120-111 të Oklahomës që u rikthye te fitorja pas 4 humbjeve rresht ndërkohë që i shkaktoi Clippers-ave disfatën e 4-t rradhazi. Pas 4 humbjesh rresht buzëqeshi edhe Milwaukee Bucks që iu fal yllit të saj Giannis Antetokounmpo autori i 28 pikëve në fitoren surprizë të skuadrës nga Winsconsin brenda në Texas përballë San Antonio Spurs me rezultatin 94-87. Skuadra e momentit në NBA vazhdon të jetë Boston Celtics që mposhti me rezultatin e ngushtë 90-87, Charlotte Hornets duke koleksionuar suksesin e 11-t rradhazi.



