Ndalet Ajax, PSV fiton me goleadë dhe i afrohet në krye
Ekipi i PSV Eindhovenit reagoi në mënyrën më të mirë të mundshme, pas shuplakës së fortë që mori nga kampionët në fuqi, teksa mundi thellë në shtëpi skuadrën e Twente-s. Fundjavën e kaluar ekipi i drejtuar nga trajneri Roger Schmidt u largua nga stadiumi “Johan Cruijff Arena” i Amsterdamit pasi pësoi plot pesë gola nga Ajaksi, sidoqoftë pavarësisht mungesave të mëdha bardhekuqtë u kthyen shpejt në rrugën e fitoreve, duke mposhtur brenda në Eindhoven klubin nga Enschede me shifrat 5-2.
54-vjeçarin gjerman e nderoi reparti i sulmit i përbërë nga treshja Eran Zahavi – Carlos Vinicius – Yorbe Vertessen dhe vendasit ia dolën për të fituar krejt takimin falë tre golave të shënuar në fillimin e pjesës së dytë. Në “Philips Stadion” fraksioni hapës i lojës ishte vërtet shumë i rivalizuar dhe një meritë e madhe për këtë I takon pikërisht skuadrës së drejtuar nga trajneri Ron Jans. 63-vjeçari nga Zwolle e rreshtoi skuadrën lart, duke e orientuar ekipin në sulm që në minutat e para të ndeshjes.
Për rrjedhojë Vlap realizoi herët golin e epërsisë, pas topit të shkëlqyer që i ofroi Smal nga krahu i majtë, gjithsesi miqtë nuk e mbajtën dot avantazhin as qoftë edhe një minutë. Vertessen mori një top shumë të mirë nga kapiteni van Ginkel dhe sulmuesi belg shfrytëzoi më së miri gjithë hapësirën që gjeti në krahun e djathtë, për të mposhtur portierin Jeffrey de Lange me një gjuajtje diagonale, tepër të fortë.
Pa u mbushur as gjysmë ore lojë Teze shërbeu në qendër për veteranin izraelit, që goditi vetëtimthi, megjithatë pikërisht në minutën e parafundit të pjesës së parë mesfushori algjerian Ramiz Zerrouki ia doli të shënojë një gol të mrekullueshëm, me një gjuajtje të fortë nga distanca, duke i dërguar skuadrat në interval në baraspeshë të plotë. Në startin e 45’ të dytë bardhekuqtë gjetën menjëherë golin e avantazhit, pas një kundër-zbritjeje të shpejtë të nisur nga Vertessen.
Futbollisti belg kombinoi bukur me mbrojtësin e djathtë Teze. Në qendër Carlos Vinicius dështoi për të mundur portierin 23-vjecar, që shmangu për vetëm një çast golin, sidoqoftë Vertessen ndoqi shumë mirë aksionin për të realizuar me lehtësi edhe golin e tretë për klubin nga Eindhoveni. PSV-ja përfitoi nga përgjumja kolektive e Twente-s dhe gabimet e rënda të miqve në mbrojtje, për të shënuar tre herë në harkun e vetëm nëntë minutave, duke mbyllur përfundimisht edhe historinë e këtij takimi.
Klubi nga Enschede që kishte barazuar me shifrat identike 1-1 tre nga katër sfidat e fundit ndërmjet këtyre dy skuadrave, u shthurr në repartin e prapavijës dhe nga kjo gjë përfitoi braziliani Carlos Vinicius që shënoi edhe dy golat e parë me fanellën e klubit të dytë më të suksesshëm të kampionatit holandez. Që të gjithë prisnin që Ajaksi i Amsterdamit të reagonte pa humbur kohë, me një kundërshtar si Heracles, që gjithsesi I kishte thyer rekordmenët e kampionatit holandez në 3 nga 4 përballjet e mëparshme në shtëpi, megjithatë ndonëse dominuan në Almelo miqtë nuk shkuan përtej një barazimi me rrjeta të paprekura.
Harkëtarët dominuan duke e kontrolluar zotërimin e topit në masën 71% dhe e përfunduan takimin me 18 tentativa në total, 7 prej të cilave në kuadrat. Në këtë mënyrë pavarësisht poshtërimit të javës së kaluar në ndeshjen direkte, me këtë hap të gabuar ekipi i Eindhovenit fitoi terren në shkallët e sipërme të klasifikimit të kampionatit në Eredivisie dhe pas 11 javëve bardhekuqtë tani numërojnë vetëm dy pikë më pak se sa skuadra e trajnerit Erik ten Hag.



