“Ndeshja e fundit me këtë fanellë”, Dybala përgatit lamtumirën me tifozët e Juves
Paulo Dybala ka lajmëruar të gjithë tifozët e Juventus se takimi ndaj Lazios këtë të hënë, do të jetë e fundit për të me fanellën “bardhezi”. Përmes një postimi në rrjetet sociale, argjentinasi ka kujtuar kohën dhe trofetë e fituar me Juven, ndërsa ka falenderuar çdo pjesëtar të klubit ku kaloi 7 vite të karrierës së tij.
Dybala theksoi se do e ketë shumë të vështirë të zbresë në fushë me buzëqeshje nesër, por shtoi se fati nuk deshi që të vazhdonin bashkë.
“Është e vështirë të gjesh fjalët e duhura për të të përshëndetur, ka kaq shumë vite dhe kaq shumë emocione të përfshira, të gjitha së bashku… Mendova se do të ishim bashkë edhe më shumë vite, por fati na vendos në rrugë të ndryshme. Nuk do të harroj kurrë gjithçka që kam përjetuar, çdo ndeshje, çdo gol. Me ty u rrita, mësova, jetova dhe ëndërrova. Kanë qenë 7 vite të magjishme, 12 trofe dhe 115 gola. Faleminderit që më keni mbështetur në momente të vështira. Faleminderit atyre që më kanë shoqëruar ndër vite, nga i pari tek i fundit, nga tifozët te njerëzit që punojnë brenda klubit, të gjithë, trajnerë dhe shokë skuadre, punonjës dhe drejtues. Veshja e kësaj fanelle të rëndësishme së bashku me shiritin e kapitenit kanë qenë një nga krenaritë më të mëdha të jetës sime, të cilën shpresoj t’ua tregoj fëmijëve dhe nipërve një ditë. Nesër do të jetë ndeshja ime e fundit me këtë fanellë, është e vështirë të imagjinohet, por do të jetë lamtumira e fundit. Nuk do të jetë e lehtë, por do të hyj në fushë me buzëqeshje dhe me kokën lart, duke e ditur që kam dhe gjithçka për ju.”-shkruan Paulo Dybala.

Juventus do të ndeshet me Lazion nesër në orën 20:45 në javën e parafundit të sezonit dhe sulmuesi argjentinas do t’u japë lamtumirën tifozëve të “Zonjës së Vjetër” në “Allianz Stadium”.



