Ndeshja e radhës në transfertë, Vllaznia duhet t’ia dalë pa sulmuesin kryesor
Pas disfatës 1-2 në shtëpi ndaj Tiranës, Vllaznia tashmë ka nisur të mendojë për ndeshjen e radhës të cilën do ta luajë në transfertë ndaj Egnatias. Në këtë sfidë kuqeblutë do të kërkojnë të rikthehen te tre pikët për të synuar vendin e tretë në kampionat, por duhet të bëjnë pa sulmuesin kryesor Ante Aralica.
Kroati që gjeti rrugën e rrjetës ndaj Tiranës, u ndëshkua me karton të verdhë ndaj bardhebluve në minutën e 80 dhe ka plotësuar numrin katër të kartonëve duke qenë i detyruar të qëndrojë jashtë për ndeshjen e radhës.
Në këtë sezon, Aralica ka shënuar shtatë gola me shkodranët duke qenë i dyti në listë pas Liridon Latifit që ka realizuar 10 gola. Nga ana tjetër, Bulatovic, Djurdjevic dhe Diagne nëse ndëshkohen me karton të verdhë ndaj Egnatias atëherë do të humbisnin ndeshjen e radhës në kampionat, atë ndaj Kastriotit.



