Ndeshjet me Shqipërinë e San Marinon, Southgate publikon listën e kombëtares angleze
Trajneri i Anglisë, Gareth Southgate ka prezantuar listën e lojtarëve që do të grumbullojë për ndeshjet e fundit kualifikuese të Kupës së Botës, me Shqipërinë dhe San Marinon. Tekniku i nënkampionëve të Europës ka lënë jashtë Jadon Sancho, Jesse Lingard dhe Mason Greenwood, tre lojtarët e Manchester United.
Lingard dhe Sancho nuk kanë pasur shumë hapësira, diçka që e ka theksuar vetë trajneri në konferencën për shtypin, duke justifikuar dhe mungesën e ftesës për ta. “Jesse dhe Jadon nuk kanë pasur shumë minuta krahasuar me lojtarët e tjerë në këto javët e fundit.
Ata e kanë mirëkuptuar vendimin që kemi marrë dhe për momentin është e rëndësishme që të përkushtohen me skuadrat e tyre. Nëse do të luajnë atje do të ishte një bonus i madh për të dhënë kontributin e tyre dhe në përfaqësuese”, u shpreh trajneri 51-vjeçar.
Në listën e Anglisë bien në sy rikthimet e talentit Jude Bellingham (Dortmund) dhe sulmuesit Tammy Abraham (Roma). Anglia do të ndeshet me Shqipërinë në 12 nëntor në Wembley, ndërsa tre ditë më vonë do të udhëtojnë drejt San Marinos.
“Tre Luanëve” do u mjaftonte një fitore për të siguruar matematikisht vendin e parë në grupin I, teksa pas 8 ndeshjesh kanë grumbulluar 20 pikë, tre më shumë se Polonia që renditet në vendin e dytë, ndërsa djemtë e Edi Rejës renditen të tretët me 15 pikë.
Portierë – Sam Johnstone (West Bromwich Albion), Jordan Pickford (Everton), Aaron Ramsdale (Arsenal)
Mbrojtës – Trent Alexander-Arnold (Liverpool), Ben Chilwell (Chelsea), Conor Coady (Wolverhampton Wanderers), Reece James (Chelsea), Harry Maguire (Manchester United), Tyrone Mings (Aston Villa), Luke Shaw (Manchester United), John Stones (Manchester City), Kyle Walker (Manchester City)
Mesfushorë – Jude Bellingham (Borussia Dortmund), Jordan Henderson (Liverpool), Mason Mount (Chelsea), Kalvin Phillips (Leeds United), Declan Rice (West Ham United), James Ward-Prowse (Southampton)
Sulmues – Tammy Abraham (AS Roma), Jack Grealish (Manchester City), Phil Foden (Manchester City), Harry Kane (Tottenham Hotspur), Marcus Rashford (Manchester United), Bukayo Saka (Arsenal), Raheem Sterling (Manchester City).



