Ndreu: Fitore e madhe, fizikisht jemi top. Merkato? Jemi në bisedime me 3-4 lojtarë
Një gol i Spartak Ajazit në pjesën e dytë, i dhuroi Kastriotit fitoren 1-0 ndaj Egnatias. Trepikësh tepër i rëndësishëm për ekipin krutan, që lufton për objektivin mbijetesë. Trajneri i Kastriotit, Ramadan Ndreu foli pas ndeshjes për “Gol pas Goli” në Supersport, duke u ndalur te fitorja, ndeshja e radhës dhe merkato.
“Ndeshjet e fundit kemi pasur mungesa, lojtarët e rinj nuk kanë kapacitet për të përballuar sfida të vështira si ajo me Tiranën e Partizanin. Ndeshja e sotme ishte e rëndësishme, luanim ndaj një rivali direkt. Do shtoheshin problemet edhe nëse ndeshja dilte barazim. Jam i kënaqur me fitoren, edhe Ajazi e meritoi golin, pasi punon dhe vrapon shumë.
Ishim të dërrmuar në aspektin psikologjik, kemi punuar shumë në këtë aspekt. Nuk duhet të dorëzohemi, kemi shpirt gare, lojtarët e treguan dhe meritojnë komplimente. Skënderbeu? Do të shkojmë të japim maksimumin, të jemi pragmatistë dhe pse jo të marrim tre pikët.
E kisha menduar ta vendosja Hysenin në mesin e fushës, doja të formoja një dyshe të fortë në qendër, por u tremba shumë, pasi nuk jemi në momentin për të bërë prova. Në pjesën e dytë isha i bindur që ta bëja këtë lëvizje. Hyseni të jetë në mesfushë dhe Kodra në mbrojtje, kështu mendoj se do të luajmë në ndeshjen e radhës.
Pjesët e dyta tonat kanë qenë më të freskëta në aspektin fizik, na ka munguar vetëm goli. Djemtë japin maksimumin, i shoh edhe në stërvitje, vrapojnë dhe japin shumë, unë nuk toleroj aspak në sa i përket aspektit fizik.
Merkato? Kemi biseduar me presidentin dhe stafin që kemi nevojë. Jemi në bisedime të përditshme me lojtarë të ndryshëm, na duhen të paktën nga një lojtar për repart. Dua që ata që vijnë të jenë mbi nivelin e këtyre që kemi, edhe pse është e vështirë t’i gjesh në janar. Jemi në bisedime me 3-4 lojtarë, besoj se do na ndihmojnë”, përfundoi Ndreu.



