Ndreu: Me sa shoh, mbijetesa do të ndahet me Bylisin
Trajneri i Kastriotit, Ramazan Ndreu, në analizën që I bëri humbjes me Skënderbeun në gol pas goli, deklaroi:
“Deri në momentin që ishim me 11 lojtarë, po bënim mirë, me pak kujdes edhe mund ta fitonim ndeshjen. Disa lojtarë mendojnë që me çdo kundërshtar që është poshtë nesh, mund të fitojmë. Sot mund të merrnim një barazim, të linim Korçën poshtë dhe ishim mirë. Kemi punuar gjatë javës për këtë. Në pushim të pjesës së parë, kërkova vetëm të ruhej qetësia. Nuk ka mbaruar asgjë, jemi para Korçës. Duhet të shikojmë përpara. Fati dhe tensioni nuk e sjellin golin. Kur je konfuz, ke edhe fatin kundër. U bënë disa javë që u them lojtarëve që është fundi i kampionatit dhe duhet të jemi të përqendruar. Do mundohemi që në ndeshjet në vazhdim të bëjmë maksimumin dhe të mbijetojmë.
Tensioni në skuadër: “Tensioni është evident, nuk kemi si e shmangim. Mosha e re, nuk janë lojtarë që mbajnë presionin. Bëjmë gabime amatore. Edhe me 10 lojtarë bëmë mirë. Futbolli do qetësi, që të ecësh para”.
Kalendari: “Edhe 5 ndeshje janë, varet se sa të aftë do jemi ne për ta mbajtur skuadrën larg tensionit. Duhet qetësi. Me sa po shikoj në këtë fund kampionati, mbijetesa do të ndahet me Bylisin.”



