Ndreu: Ne, Egnatia dhe Skënderbeu do luftojmë deri në fund. Luajmë më mirë jashtë fushës sonë
Kastrioti udhëton nesër në Korçë për t’u ndeshur me vendasit e Skënderbeut në një sfidë direkete mes skuadrave që synojnë mbijetesën. Mirëpo, trajnerin Ramdan Ndreu duket se nuk e shqetëson ky fakt teksa thekson se ekipi i tij luan më mirë jashtë shtëpie, ndërsa shton me bindje se deri në fund, ato që do të luajnë mbijetesën do të jenë Egnatia, Kastrioti dhe Skënderbeu.
Fitorja me Egnatian- “Ishte një fitore në kohën e duhur, por e kam thënë se ndeshjet shumë të rëndësishme janë me kundërshtarët direkt si Egnatia dhe Skënderbeu. Janë skuadra që do të rivalizojmë deri në fund dhe kështu ndeshja me Korçën merr vlersëimin maksimal. Gjatë kësaj kohe që kemi në dipozicion kemi punuar në aspektin psikologjik, ne si skuadër luajmë më mirë jashtë fushe se brenda dhe do të shkojmë për tre pikë”.
Skënderbeu ka ndalur edhe ekipe si Kukësi apo Tirana- “Të gjitha skuadrat në këtë sezon janë me nivel dhe ndeshjet janë të fituara me vështirësi nga ato që janë më lart në tabelë. Skënderbu ka luajtur mirë edhe brenda ashtu edhe jashtë ndeshjet e saj. Edhe ne kemi luajtur mirë, shkalla e vështirësisë është reale, se 6-7 skuadra kanë investuar shumë dhe kanë nivel teknik më të lartë. Pikët tregojnë se jemi aty-aty dhe kam besim se lojtarët do të marrin më të mirën. Ne futemi në fushë për tre pikët, por edhe me një pikë jemi të kënaqur”.
Mëllugja? “Është i dëmtuar, ka një dëmtim muskulor dhe nuk është akoma për ndeshje. Po rikuperohet në fizoiterapi dhe me palestër”.
Nuk e shikoni mundësi që për mbijetesën të ketë edhe ekipe të tjera veç Kastriotit, Egnatias dhe Skënderbeut? “Kampionati është në fazën e dytë dhe nuk përjashtohet mundësia të ketë edhe ekipe të tjera, unë shoh potencialin teknik dhe investimet që kanë bërë, mendoj se në të treja do të luftojmë deri në fund”, u shpreh Ndreu.



