Ndreu: Skuadra vuan fizikisht, Asani “hajdut” penalltish
Intervista e trajnerit të Kukësit, Ramazan Ndreu, dhënë për emisionin “Gol pas Goli” në Supersport, pas përfundimit të sfidës mes verilindorëve dhe Partizanit, që u mbyll me barazimin 1-1, në stadiumin “Loro Boriçi” të Shkodrës.
Skuadra ka probleme fizike, që i shfaq në ndeshje të vazhdueshme. E kemi parë edhe në ndeshje të tjera, që skuadra vuan fizikisht në pjesën e dytë, çka tregon për përgatitje jo të duhur.
A keni ende shpresa për titullin?
Është shumë e vështirë, por përderisa matematika na mban në lojë, ne do vazhdojmë të provojmë dhe të shpresojmë.
Keni dominuar deri në momentin e golit, por më pas ratë ndjeshëm…
Deri në momentin e golit ishim mirë, por e kisha frikën e momentit të fundit të takimit, që tregon edhe shenjat e lodhjes. Megjithatë ne kaluam vetëm një moment të vështirë, ku një vendosje e gabuar, na ndëshkoi.
Jeni i bindur për 11-metërshin?
Nuk ka lidhje me penalltinë, por është një veprim për të vjedhur 11-metërshin. Ai ka marrë topin dhe ka kërkuar kontaktin te këmbët e Cuculit.
Në momentin e golit, gabuan Teqja, Rrumbullaku dhe Cuculi…
Po, është e drejtë dhe besoj se erdhi për shkak të rënies fizike. Megjithatë ishte vetëm një moment, pasi në tërësi, në 90 minutat, ishim superiorë ndaj kundërshtarit.
Folët edhe për mangësi fizike. I referoheni mënyrës se si është punuar në kohën e Cungut?
Janë 3-4 ndeshje, që skuadra në përgjithësi merr gola në minutat e fundit dhe çedon. E njëjta gjë ndodhi edhe sot, por besoj se kjo është e hershme dhe lidhet me disa lojtarë që nuk kanë gjendjen e duhur fizike, pasi kanë ardhur në janar dhe nuk kanë bërë fazën e duhur përgatitore.
Që të fitoni titullin, duhet të thyeni shumë ligje të futbollit. Pse beson ende te titulli?
Është e vërtetë që të zhvillosh një kampionat të gjithin në transfertë është shumë e vështirë dhe kjo ndikon në ecurinë e skuadrës. Megjithatë jemi optimistë, pasi i kemi lojtarët për të synuar edhe befasinë, Futbolli prodhon të papritura dhe kampionati është i fortë, ndaj do të vijojmë punën, për të shpresuar edhe në gabimet e kundërshtarit.



