Ndriçim Shtubina kthehet te skuadra e zemrës
Ndriçim Shtubina rikthehet në shtëpi. Pas dy sezoneve larg Shkodrës, 32-vjeçari rikthehet të veshë fanellën e Vllaznisë, për t’u dhënë kuqebluve më shumë forcë, falë cilësive dhe eksperiencës së tij. Lojtari polivalent ka firmosur me drejtuesit e klubit kontratë 1-vjeçare, me opsion rinovimi për një tjetër sezon, duke u bërë kështu një përforcim shumë i vlefshëm për shkodranët në këtë rikthim në Superiore.
Shtubina u largua nga Vllaznia dy edicione më parë, duke u aktivizuar në fillim për pak muaj te Kukësi dhe më pas ishte një nga pikat më të forta të Laçit, që në dy edicione siguroi Europën. Madje sezonin e fundit ishte lider te bardhezinjtë, jo vetëm me lojën, por edhe me golat e tij, duke rezultuar një nga golashënuesit më të mirë të kampionatit me 10 realizime nga 33 që kurbinasit shënuan në total.
32-vjecari rikthehet në shtëpi, te skuadra e tij e zemrës, aty ku u formua dhe u konfirmua si futbollist, për të ndihmuar Vllazninë që të arrijë objektivat. Me fanellën kuqeblu shtubina ka shënuar 38 gola në kampionat, por mbi të gjitha është një lojtar i cili luan në disa pozicione të fushës, si në sulm ashtu edhe në mesfushë e në mbrojtje. Për trajnerin Mirsad Jonuz ky është një afrim që i shton akoma më shumë vlera grupit të futbollistëve, sidomos atyre shkodranë që fanellën e skuadrës e ndjejnë më shumë se kushdo tjetër.



