Ndryshime në listën e kombëtares, tri prurje për sfidën ndaj Andorrës
Kombëtarja është rikthyer në Shqipëri dhe sot ka zhvilluar seancën e raadhës stërvitore në “Tropikal”. Humbja 5-0 ndaj Anglisë duhet harruar sa më shpejt, teksa të hënën zhvillojmë ndeshjen e fundit të fazës eliminatore të Botërorit Katar 2022.
Lista e Kombëtares shqiptare pëson sërish ndryshime në prag të ndeshjes shtëpiake ndaj Andorrës (15 nëntor, 20:45).
Skuadrës së Rejës do t’i bashkohen që këtë të shtunë tre lojtarë. Ernest Muçi, Enis Çokaj dhe Taulant Seferi janë ftuar nga trajneri italian për ndeshjen me Andorrën dhe do të bashkohen menjëherë me skuadrën.
Listës së mungesave i shtohet edhe sulmuesi Armando Broja, i cili gjithashtu nuk do të jetë pjesë e skuadrës për përballjen e fundit.
Sulmuesi i Southampton u bashkua me skuadrën në stërvitje një ditë para ndeshjes me Anglinë, ku iu nënshtrua testeve mjekësore dhe zhvilloi një seancë të veçuar stërvitore për të parë gjendjen e kaviljes.
Lojtari ka ndjerë përsëri dhimbje dhe pas përfundimit të ndeshjes me Anglinë në “Ëembley” ka kërkuar të rikthehet pranë klubit të tij për të vazhduar terapinë.
Mbrojtësi Marash Kumbulla dhe mesfushori Keidi Bare, të cilët u dëmtuan në ndeshjen me Anglinë, do të largohen nga grumbullimi për t’u kthyer me klubet respektive e për të vijuar rikuperimin.
Edhe mbrojtësi tjetër Frederik Veseli ka pasur probleme fizike pas ndeshjes dhe pas konsultimit me stafin mjekësor është konkluduar se e ka të pamundur të jetë i gatshëm për ndeshjen e së hënës.
Për shkak skualifikimi do të mungojnë edhe Klaus Gjasula, Sokol Cikalleshi dhe Ardian Ismajli, të cilët do të qëndrojnë pranë kombëtares për sfidën e fundit.



