Ndryshime te lista e Shpresave, Bushi thërret mbrojtësin e Bylisit
Kombëtarja Shqiptare U21 është grumbulluar dhe po përgatitet nën drejtimin e trajnerit Alban Bushi për eliminatoren e kampionatit Europian ndaj Andorrës dhe miqësoren ndaj Bullgarisë, dy sfida këto që do të luhen në transfertë.
Nuk kanë munguar ndryshimet nga lista e lojtarëve që ftoi fillimisht trajneri Bushi, pasi sulmuesi i Legias së Varshavës, Ernest Muçi u largua nga grumbullimi për shkak të një dëmtimi, ndërsa në dyshim është edhe mbrojtësi Ramën Çepele.
Ky i fundit ka shfaqur një problem fizik dhe po monitorohet nga stafi mjekësor i kombëtares shpresa, ndërsa trajneri Bushi ka ftuar për t’iu bashkuar në grumbullim, mbrojtësin e Bylisit Marcelino Preka.
Ky i fundit ka luajtur disa ndeshje si titullar me mallakastriotët dhe ka bërë paraqitje mjaft të mira, ndërsa tani do të ketë mundësi të tregojë veten edhe në Shqipërinë U21.



