Në Anfield janë të paralajmëruar/ Tersi i numrit 7, çfarë na mëson e kaluara e Jurgen Klopp?!
Trajneri Jurgen Klopp ka nisur vitin numër shtatë në krye të Liverpool. Tekniku gjermani ia ka dalë të fitojë thuajse çdo trofe me të kuqtë, mirëpo në këtë sezon është autori i startit më të dobët prej kur ka marrë drejtimin e skuadrës në vitin 2015.
Liverpool në tre ndeshjet e para të sezonit ka mundur të grumbullojë vetëm dy pikë falë barazimeve me Fulham (2-2) në premierën e kampionatit dhe më pas me Crystal Palace (1-1) ndërsa në takimin e fundit u mposht nga Manchester United (1-2).
Por, tifozët e Liverpool ndoshta duhet të “frikësohen” më tepër për vazhdimësinë e sezonit pasi ka një ters që lidhet me trajnerin Klopp dhe numrin shtatë. Deri më tani, Klopp ka vuajtur gjithnjë dhe ka arritur rezultatet më të këqija me një skuadër pikërisht kur luan vitin e shtatë. Diçka e tillë i ka ndodhur me Mainz që pasi ra nga Bundesliga, nuk mundi të ngjitej sërish në elitë duke provokuar edhe tërheqjen e Klopp.
Për të vazhduar me Borussia Dortmund, që në vitin e shtatë në drejtim të verdhezinjve, Klopp nuk e udhëhoqi ekipin më shumë se vendi i shtatë në Bundesliga, ndërsa skuadra u mposht edhe në finalen e Kupës së Gjermanisë. Pas këtyre rezultateve, 55-vjeçari u tërhoq për të marrë drejtimin e Liverpool dhe numri shtatë po i shkakton sërish telashe trajnerit, teksa në Anfield janë të paralajmëruar.



