Lajme

Në fushë 4 shqiptarë, Zvicra vuan por kualifikohet në Botëror

Zvicra është zyrtarisht skuadra e 27-të që siguron një biletë për në Kupën e Botës, Rusi 2018. Për herë të 4-t radhazi dhe të 11-n në historinë e saj përfaqësuesja helvete u kualifikua në kompeticionin më të rëndësishëm në nivel kombëtaresh. Fitorja 0-1 në transfertë në ndeshjen e parë ndaj Irlandës së Veriut me një penallti të dyshimtë të kthyer në gol nga Ricardo Rodriguez i mjaftoi Zvicrës për të siguruar një biletë për në Botërorin rus, pasi në Basel në sfidën e kthimit në “St Jakob Park”, në një terren të rënduar nga shirat që kishin rënë, skuadra e Vladimir Petkovic nuk shkoi më shumë se një barazim 0-0 përballë përfaqësueses nga Britania e Madhe. Ishin 4 shqiptarët që luajtën në këtë sfidë. Si titullar e nisën sfidën, Granit Xhaka, Xherdan Shaqiri e Blerim Dzemaili ndërsa në pjesën e dytë Admir Mehmedi zëvendësoi pikërisht këtë të fundit. Pjesa e parë ishte deri diku e barabartë ndërsa në fraksionin e dytë Zvicra krijoi disa raste të mira por pa mundur dot të shënojë. Në sekondat e fundit Ricardo Rodriguez heroi i zvicëranëve në ndeshjen e parë shpëtoi një gol të sigurtë pasi largoi topin mbi vijën fatale duke u kthyer në një hero të vërtetë në këtë kualifikim të rradhës të Zvicrës në një Kupë Bote.

Të Fundit

EVENTET NË SUPERSPORT

To Top
Evolve Web Agency Evolve Web Agency