Kategoria Superiore

Në Korçë dhe Vlorë, luhen takimet e fundit të fazës së parë

Skënderbeu rikthehet në Korçë, për të zhvilluar ndeshjen e dytë në shtëpi, në harkun kohor të vetëm 8 ditëve, teksa do të përballet me skuadrën e Vllaznisë. Sikur të mos mjaftonin diferencat e mëdha, për shkak të rrethanave klubi korçar favorizohet ndjeshëm edhe nga kalendari, që i ofron takimin e gjashtë brenda fushës, nga nëntë ndeshjet që përmabn gjithsej faza e parë.

Natyrisht që bëhet fjalë për takimin përmbyllës të fazës hapëse dhe në rast triumfi ekipi i Ilir Dajës do të ruante rekordin e 100% të pikëve në Stadiumin ‘Skënderbeu’, pasi në shtëpi “bardhekuqtë” i kanë fituar që të 5-ta ndeshjet, madje duke pësuar vetëm dy gola gjithsej.

Takimi pritet me tepër interes, sidomos pas figurës shumë të mirë që bëri trajneri Ernest Gjoka në ndeshjen e debutimit me klubin shkodran, për më tepër në Kukës, ndaj ish-ekipit me të cilin edicionin e kaluar fitoi titullin kampion në Kategorinë Superiore.

Vendasit duhet të lënë mënjanë lodhjen e sfidës së Beogradit, ku skuadra luajti vërtetë mirë, por gjithsesi krejt ndryshe nga kampionati, në Europa League ekipi korçar e ka patur të vështirë për të konkretizuar mundësitë e mira që i janë paraqitur. Në Superligë gjërat qëndrojnë ndryshe, sepse “bardhekuqtë” kanë një mesatare realizimi më shumë se dy gola për ndeshje, ndërsa përsa i përket mbrojtjes, në Korçë kanë dështuar për të shënuar kundërshtarë të tillë si Flamurtari, Partizani apo Luftëtari.

Në krahun tjetër barazimi 2-2 në Kukës ndezi menjëherë shpresat e publikut shkodran për një ndeshje të madhe, gjithashtu edhe ndaj ekipit që konsiderohet me të drejtë edhe si favoriti numër 1 për të fituar titullin e këtij sezoni, sidoqoftë gjërat morën shpejt rrjedhë tjetër, sepse pas problemeve me fushën që kishte Stadiumi ‘Loro Boriçi’, drejtuesit e Vllaznisë vendosën që ta luajnë ndeshjen ndaj Skënderbeut në stadiumin “Reshit Rusi”.

Në fakt pas inspektimit, përfaqësuesit e Federatës Shqiptare të Futbollit arritën në përfundimin që ky impiant nuk i plotëson të gjitha kushtet, prandaj edhe drejtuesit e klubit shkodran morën një vendim të tillë, që zhvendos automatikisht takimin e fazës së dytë ndërmjet këtyre dy skuadrave, në Stadiumin ‘Loro Boriçi’.

Përsa i përket Vllaznisë, trajneri Ernest Gjoka nuk do të ketë në dispozicion mesfushorin Florind Bardulla, ndërkaq është riaftësuar në kohë për këtë takim mesfushori tjetër Erion Vucaj, kështu që “kuqeblutë” mund të mbështeten te treshja Hasani-Vucaj-Lika. Skënderbeu i ka dominuar përballjet ndërmjet tyre në qytetin e Korçës, duke fituar 8 ndeshjet e fundit radhazi, por nuk dihet nëse do të vijojë të ruajë këtë ecuri.

Në Vlorë do të përballen Flamurtari dhe Kukësi, që do ta mbyllin xhiron e parë të Karegorisë Sueriore me një sfidë ku fitorja është jetike për të dyja skuadrat, që si rrallëherë vitet e fundit, janë shumë pranë njëra-tjetrës në klasifikim. Vetëm 2 pikë i ndajnë vlonjatët nga kamionët në fuqi, por këtë sezon historia ndryshon disi pasi të dyja skuadrat kanë ndryshuar shumë dhe era ka filluar të fryjë në drejtim të Vlorës.

Flamurtari vjen në këtë sfidë pas suksesit 1-0 ndaj Partizanit, por penalizohet ndjeshëm nga mungesa e tifozëve në shtëpi. Vetëm një humbje në javën e parë me Skënderbeun dhe më pas 7 ndeshje rresht ku Flamurtari ka dalë përherë me pikë nga fusha, janë tregues i forcës së kësaj skuadre, që këtë sezon ka pëmirësuar ndjeshëm aspektin mbrojtës, edhe pse në sulm mbetet e varur nga humori i dyshes Bushiç-Alvesh. 6 janë golat e pësuar nga të dyja skuadrat këtë sezon, por Kukësi ka një diferencë të madhe në aspektin sulmues, ku ka shënuar 7 gola më shumë se vlonjatët.

Bakaj në kampin e skuadrës së MIlinkovic kryeson me 4 realizime personale, ndërsa Bushiç me 1 më pak. Të dy vendimtarë për skuadrat respektive dhe ndoshta të tillë do të jenë edhe në sfidën e fundit të javës së 9. Flamurtari prej 4 vjetësh nuk njeh fitore ndaj Kukësit, por Shpëtim Duro këtë sezon po tregon se edhe rekordet negative mund të thyhen, pasi Flamurtari nuk fitonte që prej 11 vjetësh edhe në Tiranë. Zeqiri në kampin kuksian nuk është ende gati, ndërsa për vlonjatët do të mungojë Veliu dhe Sidibe. Një ndeshje që mund të ndryshojë rrjedhën e sezonit për Flamurtarin, por edhe për Kukësin, pasi në rast të një surprize të pakëndshme, atëherë stoli i trajnerit Milinkoviç do të ishte në rrezik të vërtetë.

Takimi Vllaznia-Skënderbeu do të startojë në orën 14:00, ndërsa sfida mes Flamurtarit dhe Kukësit, do të nisë në orën 17:00.

Të Fundit

EVENTET NË SUPERSPORT

To Top
Evolve Web Agency Evolve Web Agency