Kategoria Superiore

Skënderbeu mposht Kukësin dhe “arratiset” në krye

Skënderbeu vret kampionatin. Korçarët fituan 2-1 sfidën direkte për titull ndaj Kukësit dhe thellojnë distancën në garën për titull. E ndërsa tifozët korçarë dhuruan spektakël dhe leksione në tribuna për mënyrën sesi shkohet në Europë, në fushë skuadra e Dajës tregoi se është një nivel krejt tjetër. Edhe pse sulmuesi kryesor, Ali Sowe nuk luajti për shkak dëmtimi, bardhekuqtë morën me meritë maksimumin e pikëve.

Sfida nisi emocionuese prej sekondave të para, me Skënderbeun në sulm, por Xhejms që ishte më i avancuar se mbrojtësit. Vendim i drejtë edhe pse nuk kishte kohë për diskutime, sepse në krahun tjetër Bakaj iu afrua golit me goditje standarde, por devijimi i murit mbrojtës të korçarëve ishte vendimtar.

E ndërsa Valon Ethemi evitoi një gol të sigurt, duke neutralizuar asistin e Xhejms për Gavazajn, te Kukësi protestuan për mënyrën sesi Mici mbrojti topin në daljen e Shehit, duke i shkaktuar çarje Ethemit.

Me avantazhin e fushës dhe objektivin për të vrarë kampionatin, korçarët kërkuan vazhdimisht golin, por nëse tentativa e Lilajt nuk ishte e kalibruar vetëm për disa centimetra, Gavazaj gaboi në finalizim ndërsa më pas Enea Koliçi në fluturim neutralizoi goditjen standarde të Radas, që po shkonte drejt portës.

Topin në rrjetë e dërgoi Taku në të 21-ën, por aksioni u frenua, pasi Xhejms ishte në pozicion jashtë lojë në momentin e goditjes së Muzakës. Sinjalizim i drejtë i asistentit Bregasi për arbitrin Xhaja. Po aq i mirë edhe sinjalizimi i asistentit Avdo pak çaste më pas, me Kukësin që shënoi me Shametin, por mbrojtësi ishte në pozicion të parregullt. Dueli vazhdoi me rritëm të lart nga të dyja skuadrat dhe emocionue pa fund, pasi Shehi neutralizoi goditjen potente të Rustem Hoxhës, Skënderbeu kishte dy mundësi të mira shënimi me Takun dhe Nimagën (28’) që ishin të pafat në tentativat e tyre.
Goli nuk vonoi me Afrim Takun që finalizoi një aksion model të korçarëve, me lojtarët e Dajës që e njohin lojën e njëri-tjetrit me sy mbyllur.

Por, megjithë momentin e mirë të Skënderbeut dhe shansin e dyfishtë me Gavazajn dhe Muzakën për të shënuar golin e dytë, (42’) një rreshtim i gabuar në mbrojtje i dhuroi Kukësit barazimin. I vetëm me Shehin Sindrit Guri nuk e kishte të vështirë të shënonte (43’), ndërsa Nimaga i mbante të gjithë kundërshtarët në lojë.

Pjesa e dytë e lojës vazhdoi me rritëm të lartë, me korçarët që nuk hoqën dorë nga sulmi megjithatë rastet më të mira për të shënuar i kishte Kukësi. E nëse Bakaj grisi fanellën pas duelit të humbur me Radas, Shehi bëri mrekullinë përballë Gurit, duke evituar një gol të sigurt të verilindorëve.

Ndërhyrja e Imamit jashtë zonë krijoi një tjetër shans për Skënderbeun, me Koliçin që iu kundërpërgjigj Radas, ndërsa Taku hezitoi në goditje duke i dhënë mundësi kundërshtarëve të rikuperonin pozicionet.

Por, mbrojtja e Kukësit gaboi në rreshtim, duke i dhënë Xhejmsit një mundësi të cilën nigeriani nuk e shpërdoroi dhe mposhti Koliçin.

Gjithsesi, ankthi nuk përfundoi, sepse kartoni i dytë i verdhë për Kristi Vangjelin i detyroi korçarët të luanin për më tepër se 20 minuta në inferioritet numerik. Por kualiteti dhe eksperienca e skuadrës së Dajës bëri që kjo situatë të mos ndihej, me Kukësin që ishte i pafuqishëm për të reaguar, ndërsa në sekondat e fundit nuk mund të mungonte edhe tensioni mes lojtarëve në fushë.

Episod që edhe pse nuk iu përshtat spektaklit që dhuruan skuadrat në fushë, ishte më se i kuptueshëm edhe sepse në lojë është titulli. Këtë e ka të qartë presidenti Takaj dhe lojtarët që në fund festuan fitoren dhe rritjen e diferencës në 9 pikë nga kampionët në fuqi.

 

Të Fundit

EVENTET NË SUPERSPORT

To Top
Evolve Web Agency Evolve Web Agency