Kategoria Superiore

Në Kukës “fiton” Skënderbeu, Asani nderon Partizanin, Lushnja 1 pikë me Luftëtarin

Krye-ndeshja e javës së 18, Kukësi-Flamurtari, ashtu siç pritej ishte vërtetë mjaft e luftuar dhe interesante. Që të dy ekipet luftuan fort për çdo top dhe u munduan të mos lënë hapësira për kundërshtarët, duke bërë që edhe rastet flagrante të mos ishin të shumta. Kërcënimi i parë serioz vjen pas nëj krosimi të Rrumbullakut, që devijohet nga mbrojtësit vlonjatë dhe përplaset në traversë.

Gjithsesi, vlonjatët kalojnë të parët në avantazh, në minutën e 40’, kur Danilo Alves devijoi në rrjetë një top të ardhur nga goditja e këndit. Pjesa e dytë pa më agresivë vendasit, që kërkonin me ngulm barazimin, ndërsa skuadra e Duros përpiqej të ulë ritmin, administrojë avantazhin dhe të zbresë me kundërsulme. Goli i barazimit do të vinte vetëm në minutën e 82-të për veri-lindorët, që fituan një 11-metërsh, që më pas u ekzekutua saktë nga Elis Bakaj. Minutat e mbetura prodhuan një rast mjaft të pastër të Danilo Alvesit, që për pak shënoi me kokë, pas topit të ardhur nga këndorja dhe një goditje nga distance e kuksianëve, me topin që ‘qethi’ shtyllën e Nurkoviç.

Në Shkodër, Vllaznia dhe Skënderbeu zhvilluan një sfidë mjaft spektakolare dhe me ritëm shumë të lartë, që në fund pa fituese skuadrën korçare. Me rezultatin 1-4. Shkodranët gjetën shumë shpejt avantazhin, që në minutën e 6’, pas golit të shënuar me kokë nga mbrojtësi i ardhur në janar, Sedat Berisha, që devijoi krosimin e Gilman Likës. Skënderbeu nuk u pajtua gjithsesi dhe u hodh në sulm, në kërkim të golit të barazimit, ndërsa Vllaznia nuk arriti të kundërsulmojë rrezikshëm.

Barazimi erdhi pak minuta nga fundi I pjesës së parë, pas një aksioni model të nisur nga Osmani dhe të ekzekutuar nga Kristi Vangjeli. Korçarët u treguan agresivë edhe në pjesën e dytë, ndërsa avantazhin e gjetën pas një 11-metërshi të ekzekutuar saktë nga Sabien Lilaj. Pikërisht ky gol zgjoi Vllazninë, që u bë më agresive dhe filloi të organizohej drejt zonës së korçarëve, por pa arritur të krijojë raste të rrezikshme. Nga hapësirat e lëna pas përfitoi Skënderbeu, që gjeti edhe golin e 3-të me anë të Gjergji Muzakës, pas një aksioni personal. Në fund, ka kohë edhe për një gol të 4-t, të shënuar nga James.

Ndonëse në Kupë çdo gjë duket në rregull, me kampionatin Laç nuk është ambientuar ende për këtë vit. Kështu pas humbjes 3-1 në javën e kaluar me Kamzën, skuadra e Mezanit nuk ka shkuar më shumë se një barazim pa gola sot, përballë Teutës së Stavri Nicës. Ky i fundit duhet të jetë më I kënaqur nga rezultati, pasi arriti të ndalë Laçin, skuadrën nga e cila dha dorëheqjen në fillim të sezonit. Nga ana tjetër, vendasit e Mezanit ushtruan shumë presion dhe krijuan disa mundësi të mira shënimi, por nuk arritën të dërgojnë topin në rrjetë, për të marrë 3 pikët.

Pasi ndali në barazim Teutën javën e kaluar, Lushnja i ‘pret hovin’ edhe Luftëtarit, që në kampionat numëronte 4 fitore radhazi. Lagunarët dhe gjirokastritët nuk shkuan më shumë se një barazim pa gola, ndonëse nga sulmi i të dyja kampeve pritej shumë më tepër sot.

Partizani gjen goleadorin e munguar, Jasir Asanin, i cili realizoi dy golat e të kuqve në fitoren 2-1 me Kamzën në “Selman Stërmasi”, në sfidën përmbyllëse të javës së 18-të të Superiores. Të kuqtë me këtë fitore parakaluan pikërisht Kamzën, që tashmë rrëshket në vendin e 6-të.

Pa u mbushur 6 minuta lojë Asani përfitoi nga një pasiguri e portierit Gjonikaj dhe me portën e Boshatisur e kishte të lehta ta çonte topin në rrjetë.

I njëjti futbollist mposht për herë të dytë portierin e Kamzës, por këtë radhë i duhet dhënë meritë Lucas Cardosos, që shërbeu me një asist perfekt.

Kundërpërgjigjja e skuadrës së Ramadan Ndreu ishte shumë e shpejtë, me Sebino Plakun që devijoi saktë e kokë, duke kthyer të tijtë në lojë.

Pjesa e dytë nisi me dominimin e Partizanit, që fillimisht goditi traun me Trashin, ndërsa Bardhi shpërdori një rast të pastër në të 57-ën përballë Gjonikajt. Interesant fakti që kundër të kuqve u aktivizua në pjesën e dytë Realdo Fili, që deri pak ditë më parë ishte pjesë e Partizanit. Futbollistët e Kamzës e rritën ndjeshëm presionin në fund të pjesës së dytë, por pa mundur ta gjenin golin që do të shmangte humbjen.

Kur janë luajtur 18 javë, pra gjysma e kampionatit, Skënderbeu kryeson bindshëm me 40 pikë, ndërsa rezultati në Kukësi-Flamurtari, i dha mundësinë korçarëve të thellojnë në 8 pikë distancën nga vlonjatët ndjekës. Kukësi, kampion në fuqi e shikon veten 11 pikë larg kreut, pas gjysmës së parë të kampionatit, ndërsa Vllaznia e Lushnja mbyllin renditjen me 15 dhe 10 pikë.

Të Fundit

EVENTET NË SUPERSPORT

To Top
Evolve Web Agency Evolve Web Agency