Në pritje të derbit, e shtuna vjen me dy përballje spektakolare
Kampionati italian rikthehet të luajë javën e tetë të tij, ndërsa e shtuna na rezervon dy përballje mjaft interesante. Kështu, në orën 18:00, në Torino do të përballen Juventus dhe Lazio, dy ekipet që diskutuan trofeun e Superkupës në muajin gusht. Bardhezinjtë e Allegrit do të kërkojnë rikthimin te fitorja, sepse vijnë pas barazimit ndaj Atalantës dhe duan të ruajnë ritmin e Napolit kryesues.
Nga ana tjetër, Lazio e Strakoshës duket se ia ka marrë dorën Juventusit dhe pasi e mposhti në Superkupë, do të kërkojë ta surprizojë sërish sot. Ekipi i Simone Inzaghit po zhvillon një sezon shumë të mirë në këto javë të para, por në takimin ndaj bardhezinjve do të vuajë mungesat e shumta, veçanërisht në mbrojtje.
Në mbrëmje, skuadra që po luan futbollin më të bukur në Europë, Napoli do të matë forcat me Romën, në ‘Olimpico’. Dy skuadrat, vitin e kaluar rivalizuan deri në fund për vendin e dytë, por në fund verdhekuqtë u renditën para napolitanëve. Ekipi i Sarrit vjen pas shtatë fitoreve në po kaq takime dhe do të kërkojë të mbajë e vetme kreun e tabelës, ndërsa në fushë pritet të zbresin 11-shja e zakonshme.
Por edhe vendasit e Di Francescos pretendojnë vetëm tri pikët, sepse e kanë bërë një hap fals në fushën e tyre ndaj Interit dhe nuk duan të shkëputen nga gara për kreun. Kështu, në pritje të mbrëmjes së të dielës, për derbin e Madonninës, sot do të kemi mundësinë të shijojmë këto dy super-sfida.



