Nervozohet nga faullet e shumta, De Laurentiis u kërkon llogari arbitrave
Shumë pak “miqësi” në miqësoren mes Napolit dhe Espanyolit, e fundit për të dy skuadrat para startit të kampionateve përkatëse, teksa gjatë gjithë 90-minutave u panë ndërhyrje të shpeshta të rënda, nga futbollistët e të dy krahëve.
Kjo gjë ra padyshim në sy edhe të presidentit Aurelio De Laurentiis, që si rrallëherë kishte zgjedhur të ndiqte ndeshjen nga bankina, në krah të Luciano Spallettit, megjithatë e pati të vështirë të rezistojë pa komunikuar me arbitrin.
Pranë fundit të pjesës së parë, menjëherë pasi ishin bërë dy ndërhyrje të ashpra ndaj Anguissës dhe Lozanos, bosi napolitan u ngrit nga bankina dhe shkoi menjëherë te arbitri anësor, ndaj të cilit protestoi ashpër, duke i vënë në dukje se loja e spanjollëve rrezikon të dëmtojë futbollistët.
Në fund të pjesës së parë, De Laurentiis bëri të njëjtën gjë me arbitrin kryesor, të cilit i kërkoi mbrojtje për lojtarët e tij, megjithatë për këtë mendoi Spalletti, që zëvendësoi një pjesë të mirë të titullarëve.



