Kategoria Superiore

Nexhipi: Ja çfarë e penalizoi Kukësin, sezonin tjetër do luajmë në…

Drejtori Sportiv i Kukësit, Nderim Nexhipi ishte në një lidhje direkte me emisionin “Gol pas Goli” në Supersport, ku evidentoi faktorët që penalizuan verilindorët këtë sezon dhe foli për planet e sezonit të ardhshëm.

Ju rrit shpresat, barazimi i Partizanit ndaj Kastriotit?
Partizani ka avantazhin e pikëve dhe është i favorizuar, pro ne duhet të bëjmë punën tonë, për të shpresuar më pas deri sa matematika na e lejon. Sot është një ndeshje e vështirë, pasi edhe Tirana ka nevojë për pikë, por ne duam fitoren dhe do të bëjmë maksimumin për t’ia dalë.

Çfarë do të donit të shkonte ndryshe te Kukësi?
Së pari ne vuajtëm shumë nga dëmtimet, pasi kemi pasur futbollistë shumë të mirë, por shumë herë i kemi pasur në infermieri dhe na kanë penalizuar në momente të caktuara. Tjetër gjë që nuk e kishim në favor, ishte stadiumi, por ky ishte një vendim i marrë në fillim të vitit dhe ndikoi jo pak.

A keni filluar të mendoni për të ndryshuar diçka për sezonin e ardhshëm?
Normalisht që kemi filluar të mendojmë edhe për vitin tjetër. Kemi një trajner që sapo ka ardhur dhe fillimisht do të mendojmë që të mbyllim sa më mirë këtë sezon. Synimi për vitin tjetër, është që të mbajmë boshtin aktual të skuadrës, pasi kemi elementë nga më të mirët në Superiore. Më pas do të flasim me Gjokën, për të parë se ku mund të ndërhyjmë, por jo me më shumë se 3-4 lojtarë.

Si do ta zgjidhni punën e stadiumit?
Për mendimin tim, duhet të bëjmë një zgjidhje pak a shumë si Partizani, që ka gjetur vend në stadiumin “Selman Stërmasi”. Besoj se duhet të marrim stadiumin e Kamzës, për të përmirësuar kushtet dhe për të pritur aty të gjithë kundërshtarët. Është një stadium që besoj se na sjell edhe shumë mbështetës, ndaj duhet të përqendrohemi aty.

Të Fundit

EVENTET NË SUPERSPORT

To Top
Evolve Web Agency Evolve Web Agency