Neymar dy gola larg Ronaldos, Fenomeni e inkurajon ta parakalojë
Luiz Nazario De Lima, apo i njohur ndryshe si Ronaldo, ka lënë gjurmë në historinë e futbollit botëror, duke u shfaqur protagonist si me klube si Barça, Inter e Real Madrid, ashtu edhe me kombëtaren braziliane.
Pikërisht me “Seleçao”-n u shpall kampion bote në vitin 2002, ndërsa në 98 ndeshje, arriti të shënojë edhe 62 gola, duke u bërë pjesë e lavdisë në atdheun e tij.
Megjithatë një tjetër brazilian, talenti i PSG-së, Neymar është shumë pranë superimit të kësaj shifre, pasi deri tani ka shënuar plot 60 gola për skuadrën përfaqësuese.
Koha është në favor të Neymar dhe këtë e di mjaft mirë edhe Ronaldo, Fenomeni, i cili ka inkurajuar sulmuesin 27-vjeçar, që ta tejkalojë sa më shpejt shifrën e 62 golave me kombëtaren braziliane.
“Pres me padurim momentin kur ti të superosh rekordin tim në kombëtare, jam i bindur për këtë dhe tashmë është vetëm çështje kohe. Je ende shumë i ri dhe përpara të presin shumë sfida”, tha Ronaldo.
Ronaldo ka qenë gjithnjë një prej mbështetësve më të mëdhenj të Neymar edhe atëherë kur mediat e kanë kryqëzuar 27-vjeçarin. Sikundër ka deklaruar edhe më parë, Ronaldo sheh shumë cilësi të tij tek bashkatdhetari Neymar.
Ronaldo do të mbetet përgjithnjë në kujtesën kolektive për performancat e tij të jashtëzakonshme, të shënjuara nga driblimi, shpejtësia, fintet dhe finalizimet mitike.



