Nga Abibi te Selmani, Superiorja me “gardianë” të së ardhmes
Roli i portierit është specifik, delikat, baza e shtyllës kurrizore të një skuadre. “Vetmia e numrave 1” është ajo që e përshkruan këtë rol, ndjesinë e golit të realizuar nuk e provon thuajse asnjëherë, nuk feston si të tjerët, megjithatë pesha që mban mbi supe është e rëndë. Pozicioni kërkon, mbi të gjitha, pjekuri dhe është fakt që nivelin më të lartë në karrierë portierët e arrijnë në fundin e të 20-ave, megjithatë talenti është i dukshëm që në fazat e para.
Aktualisht në Kategorinë Superiore janë disa element, që, edhe pse në një moshë të re, kanë treguar cilësi. Alesio Abibi ka ende rrugë përpara, megjithatë talenti nuk i mungon aspak “gardianit” 22-vjeçar të Tiranës, i cili deri më tani e ka përballuar me sukses trashëgiminë e rëndë të Ilion Likës.
2 gardianë me shumë të dhëna i ka në dispozicion Orges Shehi te Skënderbeu. Aldo Teqja zhvilloi një pjesë të parë të sezonit pozitive dhe megjithëse e ka humbur tashmë vendin e titullarit mbetet një ndër portierët e rinj më të aftë, po ashtu si ai që i ka marrë vendin, Mario Dajsinani. 20-vjeçari ka zhvilluar 4 takime si portieri kryesor i kampionëve dhe nuk ka zhgënjyer.
Ka debutuar në Kategorinë Superiore kur ishte vetëm 17 vjeç dhe aktualisht, kur përfshihet tek portierët e rinj, duket e çuditshme, sepse u bë viti i 4-t që aktivizohet si titullar, megjithatë Gentian Selmani është vetëm 21 vjeç dhe është, në mos më i miri, një ndër portierët e rinj më të talentuar në dekadën e fundit.



