Nga eksperienca e parë larg shtëpisë, te El Clasico me Realin/ Rrëfehet Seedorf: Njerëzit flinin në rrugë!
Clarence Seedorf është padyshim një nga emrat që futbollit i ka dhuruar shumë teksa holandezi ka shkruar historinë e këtij sporti me talentin dhe titujt e fituar në fushë, mjafton të përmendim triumfin në Champions League me tre klube të ndryshme, Ajax, Real Madrid dhe Milan. Së fundmi, në një rrëfim të gjatë për “Retro Style” në Amazon Prime Video, ish-mesfushori flet për gjithçka. Nga hapat e parë te Ajax, transferimi te Sampdoria ku për herë të parë u largua nga shtëpia, më pas Real Madrid dhe El Clasico si ndeshja më e ndjerë që ka shijuar dhe më pas sigurisht Milani.
“Ëndrra ime ishte të bëhesha një futbollist i skuadrës së parë të Ajax, por më pas erdhi edhe mundësia për të veshur fanellën e bardhë të Real Madrid. Isha 15-vjeç kur mora telefonatën për t’u transferuar në Madrid, por prindërit vendosën të më mbanin pranë shtëpisë për të përfunduar shkollën. Këto dy fanella, janë të parat që më kanë dhuruar diçka speciale.
Më pas erdhi Sampdoria, eksperienca ime e parë larg shtëpisë. Në atë periudhë kampionati italian ishte më i forti dhe ishin dhjetë skuadra që pretendonin titullin. Sampdoria vinte nga finalja e Champions League dhe ishte klubi i parë që më bëri të kuptoja se çfarë duhet për të qenë një lojtar i fortë. Bëmë një sezon të bukur nën drejtimin e Eriksson, por për fat të keq patëm shumë dëmtime duke nisur nga Zenga. Aty ishin edhe Mancini, Mihajlovic, Karembeu apo Chiesa. Pavarësisht të gjithave ishte një sezon pozitiv.

Real Madrid në sezonin 1997-1998- Ishte një vit në të cilin kemi vuajtur shumë, në Champions League ashtu si edhe Reali aktual, surprizuam ndeshje pas ndeshje për të marrë një triumf pas plot 33 vitesh dhe aty nisi një cikël për skuadrën. Reali është një klub që nuk “ngopet” me trofe dhe kjo fillon nga presidenti, trajneri dhe lojtarët. Aty presioni është gjithnjë.

Transferimi te Inter? Tek Inter isha për dy vite e gjysmë, për të kaluar më pas në anën tjetër të qytetit, Milan. Nuk ishte diçka e thjeshtë për ta bërë këtë transferim. Unë e them gjithnjë që gjëja më e rëndësishme është respekti dhe mua interistët, respektin nuk ma kanë kursyer edhe pas kalimit te Milan. Në 10 vite me kuqezinjtë, arritëm shkruam kapituj shumë të bukur, unë tashmë ndihem italian.

El Clasico? Nga të gjithë derbit që kam luajtur në karrierë, El Clasico është padyshim sfida më e ndjerë. El Clasico im i parë ishte në Superkupë dhe më duhet të them se për një javë njerëzit fjetën në rrugë në pritje për të blerë biletat sepse atëherë ato nuk shiteshin “online”. Atë javë e kemi përjetuar me shumë tension dhe këtu flas për të gjthë qytetin jo vetëm skuadrën. Ishte diçka që nuk e kisha para në asnjë vend tjetër dhe për fat të mirë në fund e fituam atë ndeshje ndaj Barcelonës.

Te Real Madrid dhe Milan ishin klubet ku mësova më shumë për mentalitetin fitues, një mentalitet i tillë në këto klube ishte në “ajër” dhe ndjehej më shumë se në çdo klub tjetër. Berlusconi te Milan gjithnjë thoshte se duhej të ishim më të fortë se fati i keq dhe se duhej të respektonim kundërshtarin, por të ishim ambiciozë. Duke lënë mënjanë elegancën në fushë, te Real dhe Milan kishte një rëndësi të madhe për të kuptuar edhe momentet e veçanta të cilat duheshin menaxhuar si brenda ashtu edhe jashtë fushe”, tregon Seedorf.




