Java e 23-të mbyllet me Vllaznia-Flamurtari, shkodranët duan mbijetesën, vlonjatët Europën
Sot luhen dy ndeshjet e fundit të javës së 23-të të Superiore, rezultatet e të cilave mund ta “nxehin” edhe më shumë garën, sidomos për zonën Europiane.
Në orën 17:00, në “Loro Boriçi” luhet takimi Vllaznia – Flamurtari i fundit për këtë javë, me të dyja skuadrat që kërkojnë fitoren edhe pse për objektiva të ndryshëm. Shkodranët, duan me çdo kusht tri pikët për t’iu larguar Teutës në zonën e ftohtë, aq më tepër që durrsakët me pikën që morën ndaj Partizanit kanë zhvendosur në vendin e 9-të, edhe pse me pikë të barabarta, pikërisht Vllazninë. Nga ana tjetër Flamurtari, që ka si objektiv parësor pjesëmarrjen në Kupat e Europës nuk dëshiron që të lejojë shkëputjen e Kukësit në vendin e dytë, që ka 3 pikë më shumë pas fitores në transfertë me Lushnjën. Një sfidë shumë interesante kjo e Shkodrës, ku barazimi do të ishte një rezultat që nuk do të bënte shumë punë.



