Nga Mitrovica, në Gjilan e Skënderaj, kryesuesit transferta “të zjarrta”
IPKO Superliga e Kosovës “nxehet” këtë të shtunë me tri ndeshje “të zjarrta”, rezultatet e të cilave mund të ashpërsojnë luftën për titull, pasi të trija skuadrat kryesuese luajnë në transfertë më orën 13:45.
Një nga sfidat më interesante zhvillohet në Mitrovicë, aty ku Trepça ’89 pret Feronikelin, me synimin për të marrë fitoren dhe ngushtuar diferencën me grupin e skuadave kryesuese. Edhe pse nuk njeh humbje prej 8 ndeshjes, janë 5 barazimet, ose më saktë 10 pikë të lëna, që kanë ndikuar në pozicionimin e skuadrës së Gugash Maganit në pjesën e poshtme të tabelës. Nga ana tjetër, Feronikeli shpreson të paktën të shmangë humbjen, pas asaj disfate minimale në fushën e Gjilanit.
Prishtina e vendit të dytë udhëton në një fushë shumë të vështirë, në Gjilan, për t’u takuar me skuadrën e kuqe të qytetit të Anamoravës. Kryeqytetasit do të vijojnë të vuajnë mungesën e Gauthier Mankendas, por rikthimi në formë i Mario Morinës dhe Basit Abdul Khalid janë ogure të mira për bardhekaltrit, që do të provojnë të përfitojnë nga ndonjë gabim i mundshëm i Feronikelit. Gjilani, në fakt, është “kockë e fortë” në shtëpi. Vendësit janë me moral të lartë pas fitores ndaj Feronikelit. Rivaliteti është i madh për shkak të historisë që kanë këto dy skuadra.
Llapi, pas fitores në shtëpi dhe barazimit ndaj Trepçës në Mitrovicë, do të kërkojë të përfitojë po ashtu nga ndonjë gabim i mundshëm në raport me dy skuadrat që janë më përpara në tabelë, Prishtina (1 pikë më shumë) dhe Feronikeli (3 pikë më shumë). Skuadra nga Podujeva do të luajë jashtë me Drenicën, ekip që në ndeshjet shtëpiake ka lënë shumë pikë në fazën e parë, duke marrë 2 fitore, 2 barazime dhe një humbje. Gjithsesi, skuadra nga Skënderaj vjen me humor të mirë pas dy fitoreve radhazi me Flamurtarin dhe Lirinë.



