Lajme

Nga Scamaca te Raspadori, Carnevali shpërndan “yjet” e Sassuolos te klubet e mëdha

Sassuolo tashmë është rikonfirmuar një nga realitetet më të bukura në skenën e futbollit italian. Skuadra emiliane (këtë vit ka kaluar nën drejtimin e Dionisit, pas tri viteve me De Zerbin) nuk e ka humbur identitetin e saj me futboll tepër cilësor dhe si furnizuese e ekipeve të mëdha me talente të futbollit.

Në sezonin e nëntë radhazi në Serinë A, Sassuolo renditet në një zonë komode në mesin e tabelës dhe për më tepër ka mposhtur ekipet më në zë në Itali.

Në skuadrën e Sassuolos vazhdojnë të rriten “xhevahire” të futbollit. Nga Scamacca te Berardi, duke kaluar nga Frattesi, Traoré dhe Maxime Lopez, deri te Giacomo Raspadori, autor i një dygolëshi në miqësoren e fituar 2-3 nga Italia kundër Turqisë.

“Juve na kërkoi Raspadorin në fund të merkatos së verës 2021, por nuk kishte kohë për të finalizuar marrëveshjen dhe ata morën Kean. Nëse na telefonojnë sërish, nuk do të na gjejnë të papërgatitur. Kam një marrëdhënie të shkëlqyer me klubin bardhezi dhe drejtuesit e tij, por  nëse e duan Raspadorin, duhet të shpenzojnë,” – tha drejtori ekzekutiv i Sassuolos, Giovanni Carnevali, në “La Gazzetta dello Sport”.

Bardhezinjtë nuk e kanë fshehur kurrë vlerësimin e tyre për sulmuesin e lindur në vitin 2000 dhe, me ndarjen tashmë të afërt nga Dybala, do të ishte emri i duhur për “Zonjën e Vjetër”.

“Giacomo është lojtari ideal për Juventusin: për inteligjencën dhe futbollin që luan, do ta blija menjëherë. Ai vendoset pas sulmuesit të parë, por mund të luajë edhe në role të tjera. Ka talent dhe forcë fizike. Është i shkëlqyer në hapësira të ngushta, vërtet ka cilësi të jashtëzakonshme”.

Për sa u përket lojtarëve të tjerë kyç të Sassuolos, është e pamundur të mos përmendet kapiteni Domenico Berardi:

“Ai është kampioni ynë. Squinzi donte që ai të ishte flamuri i Sassuolos dhe kjo është e drejtë. Vitin e kaluar për herë të parë ai mendoi se mund të largohej, por oferta e Fiorentinës as që mund të merrej në konsideratë. Berardi do të ishte perfekt për Milanin: nëse do të isha CEO i një klubi më të madh, ai është lojtari i parë që do të merrja”.

Rreth Gianluca Scamaccas, Carnevalli tha:

“Interi ka shprehur interesimin e tij, por Gianluca ka shumë oferta, madje edhe nga Premier League. Por ai duhet të rritet akoma, ndoshta do t’i duhet të qëndrojë edhe një vit me ne.”

Në fund, situata e Frattesit dhe Traores:

“Frattesi është në rrugën e duhur, e morëm shumë vite më parë, u desh pak kohë, por tani mund ta shihni se si luan. Traoré ka shkëlqen. Dionisi ka qenë në gjendje t’i japë atij motivimin e duhur. E pëlqen Napoli dhe klubet e Premier League-s, sigurisht që ka shumë cilësi”.

Të Fundit

EVENTET NË SUPERSPORT

To Top
Evolve Web Agency Evolve Web Agency