Nga Tomori në Europa League me Laçin, Klinti Qato modeli që (nuk) duam të ndjekim…
Rasti Klinti Qato, nga Tomori në “play out”, me Laçin në Europë, realitet në mesfushë tanimë. Të rinj, të fortë dhe tërë dëshirë. Mbi të gjitha produkt vendas. Përse klubet tona vazhdojnë të shpenzojnë pafund në kërkim të emrave ekzotikë të së shkuarës europianë apo joshin afrikanë e latinë, kur atë çka duan e kanë disa kilometra larg?
Nëpër ndeshje pa publicitet, me baltë, plot agresivitet por me shumë “lëndë të parë”. Klinti Qato është një prej tyre. Modeli që kush e di pse nuk duam ta ndjekim. Ka pasur një ndeshje në sezonin e shkuar që nuk e mban mend me siguri askush. Kastrioti-Tomori. “Play out” i Kategorisë Superiore me Kategorinë e Parë. As nuk josh e as nuk përbën interes.
Jo për të tërë. Ka nga ata që sfida të tilla i shohin për të parë lojtarët dhe cilësitë e tyre. “Kush është ky?”, thanë asokohe drejtuesit e trajneri i Laçit. Klinti Qato, mesfushor qendre, 1.80 i gjatë, 23 vjeç. “Po pse luan me Tomorin?“ Ju e dini si është futbolli. Ndonjëherë duhet fat, ndonjëherë duhet besim, ndonjëherë duhet dikush të të shohë. Ndonjëherë madje duhet dhe strategji. I fortë, cilësi me topin në këmbë, teknik dhe karakter sportiv.
Çfarë duhet më shumë? Ata të Laçit vunë buzën në gaz. Prej vitesh punojnë kështu. Kanë ndoshta strategjinë e rekrutimit në vend më të mirën në Shqipëri. Nëse doni t’ju prezantojmë çfarë kanë bërë me këtë tip lojtari në të shkuarën, mjafton të përmendësh Uzunin. Nga Tomori tek Apolonia dhe pastaj te Laçi, ndërsa sot luan te Granada në La Liga.

Qato kishte pasur dy-tri përvoja: Durrës, Gjirokastër e Berat. Për pak po i humbiste besimi. Veten e njihte, por jo tregun. Dhe tregu është i komplikuar. Nuk ka logjikë. Sidomos në Shqipëri. Pasi shihte dhjetëra të huaj që vinin, merrnin miliona, prezantoheshin si ish yje të Serie A në Shqipëri, ai pyeste veten: çfarë kanë ata më shumë se unë? Asgjë, kanë pasur më pak ata që i kanë afruar.
Ja ku jemi sot. 15 ndeshje, 6 në Kupën e Shqipërisë dhe 6 të tjera në Europa League. Në Rumani, kur Laçi shënoi një sukses të madh duke shkuar në tur të tretë, Klinti ishte në fushë. Nga ajo ndeshje pa asnjë interes me Tomorin, në futbollin e madh europian. Ajo ndeshje i solli Laçit pozitivisht afro 700 mijë euro.
Në Laç janë të zgjuar, shumë të zgjuar. Kontratë 3-vjeçare dhe trajtim special. “Dalë nga dalë do bëhesh dhe ti”, i thanë lojtarit që nuk u mohoi konkurrencën. “Unë do jem këtu për të treguar sa vlej”, ka menduar Qato teksa ka parë që ishte në mes të treshes më të mirë të mesfushës: Deliu, Shehu dhe Lushkja.
Qato është një ndër të shumtit që rropaten për të bindur drejtuesit e klubeve të Superiores për t’i besuar një produkti vendas që nuk luan nën prozhektorë, por është edhe një ndër të shumtit që në këtë moshë ndoshta e lënë futbollin, sepse drejtuesit e klubeve preferojnë emrat ekzotikë të së shkuarës europiane, apo enden për të gjetur emra joshës nga cilido kontinent, për t’i afruar e më pas për t’i kritikuar se përse ata nuk janë ata që ata prisnin ose për të cilët paguanin.
Sa Qato ka lart e poshtë? Sa të duash, mjafton të shkosh e të ulesh nëpër tribunat e martirizuara të futbollit që nuk jepet në TV, në Kategoritë Inferiore, ku mes baltës, mungesës së publicitetit, agresivitetit dhe luftës për mbijetesë, Qatot i kemi para syve, të fortë, energjikë, plot dëshirë dhe shumë të lirë financiarisht. A nuk bëjnë kështu gjithë vendet e rajonit që gjithnjë kanë snobuar ish lojtarët e emrave të mëdhenj europianë, por janë përqendruar te Qatot e tyre.
Sa e njihni La Ligën?
Testoni njohuritë tuaja mbi kampionatin spanjoll...



