Ngjyrat kuqezi nuk i ndahen Balotellit, e do Flamengo
Ngjyrat kuqezi nuk i ndahen Mario Balotellit. Pas eksperiencave me Milanin dhe Nice, Supermario mund të mbajë veshur për herë të tretë një fanellë kuqezi por tashmë atë të Flamengos në kampionatin brazilian. 29-vjeçari mund të largohet përfundimisht nga Europa për të vazhduar karrierën në Amerikën e Jugut dhe më konkretisht në Brasileiro, pasi drejtuesit e Flamengos e duan me çdo kusht në skuadrën e tyre. Klubi nga Rio de Janeiro i ka bërë një ofertë serioze Balotellit për të firmosur një kontratë për 2 vite e gjysmë dhe Supermario po e merr në konsideratë. Por bashkë me të ai kërkon që në Brazil të transferohet edhe vëllai i tij Enock i cili mund të kalojë te Boavista. Në orët e ardhshme do të mësohet më tepër por mes ofertave që i kanë ardhur nga Italia dhe kësaj të fundit nga Brazili, Balotelli mund të zgjedhë pikërisht Flamengon.



