Ngoo në humor pas golit: Memën e kam propozuar dhe më ka thënë po
Intervista e sulmuesit anglez të Tiranës, Michael Ng’oo, dhënë për emisionin “Gol pas Goli”, pas ndeshjes me Skënderbeun, fati i të cilës u vendos falë golit të tij në minutat e fundit të takimit.
Shënoni sërish dhe i jepni 3 pikë skuadrës. A ndjeni se po shndërroheni në lider të Tiranës?
Jam shumë i kënaqur që po kaloj një formë mjaft të mirë dhe po paraqitem mirë, gjë që po shoqërohet edhe me gola të shënuar. Më vjen mirë që tani po vijnë edhe rezultatet e skuadrës, ndonëse duhet të bëjmë shumë më mirë. Edhe sot mund ta kishim mbyllur më shpejt ndeshjen dhe të mos i linim gjë në dorë fatit.
Sa i kënaqur jeni me paraqitjen e skuadrës sot, pasi luajtët mirë vetëm në 25 minutat e para?
Është e vërtetë që 25 minutat e para luajtëm mjaft mirë dhe e vumë në vështirësi kundërshtarin, por më pas lëshuam disi dhe vuajtëm presionin e Skënderbeut. Sot duhet t’u gëzohemi 3 pikëve dhe të analizojmë me vëmendje gabimet, për t’u përmirësuar në kuadër të ndeshjes së radhës, që është gjithashtu mjaft e vështirë dhe e rëndësishme.
Flitet se do t’ju ofrohet rinovimi. A do ta pranoni?
Është hera e parë që dëgjoj se do më ofrohet rinovimi dhe natyrisht që ndihem mjaft mirë për këtë, pasi do të thotë që jam duke bërë mirë. Do të ulemi me presidentin dhe do të diskutojmë edhe për të ardhmen time.
Si janë raportet tuaja me Memën?
Le të themi që i kam propozuar Memës dhe kam marrë një “po” prej tij. Më pas marrëdhënia jonë është ai ajo e një burri me gruan, që herë shkon mirë, por herë ka edhe probleme për t’u zgjidhur. Unë jam burri dhe patjetër që duhet të propozoj unë (Qesh).



