Nica: S’kam futbollistë për Superiore, do shoh pozicionin tim
Menjëherë pas ndeshjes me Kukësin, trajneri i Laçit Stavri Nica u shpreh mjaft i zhgënjyer me paraqitjen e ekipit të tij dhe deklaroi se me grupin e lojtarëve që ka në dispozicion, nuk mund të jenë konkurrues.
“Nuk mund të flas më për ekuilibër në skuadër sepse afrimet e reja nuk kanë kondicionin e duhur fizik dhe mua më duhet të punoj me djem të rinj, por këta e kanë shumë të vështirë të konkurrojnë në të tilla nivele”, u shpreh Nica.
Trajneri i laçianëve mohoi edhe pretendimet për të arritur Europën me ekipin e tij, duke pranuar se ky nuk është objektiv i Laçit.
“Nuk kam menduar që Laçi ka pretendime për Europën, sepse unë i njoh mirë aftësitë e futbollistëve që stërvit dhe nuk mendoj që jemi të aftë të arrijmë këto objektiva”, u shpreh ai.
Në fund trajneri Nica deklaroi se është shumë i pakënaqur me merkaton e klubit dhe se do të rishikojë pozicionin e tij në drejtim të klubit laçian.
“Janë larguar futbollistë pa u konsultuar dhe kanë ardhur lojtarë të tjerë pa përgjegjësi. Futbollistët e ardhur në verë flenë nëpër hotele dhe unë stërvit të rinjtë e Laçit, ndaj më duhet të shoh pozicionin tim”, mbylli Nica.



