Nisje perfekte e Ferrarit, Leclerc: Makina super, dua Botërorin sivjet
Botërori i vitit 2022 në Formula 1 ka nisur në mënyrë fantastike për Charles Leclerc dhe Ferrarin. Dy makinat e kuq u renditen të parat në Çmimin e Madh të Bahreinit. Leclerc fitoi garën, ndërsa Carlos Sainz u rendit i dyti, me Lewis Hamilton që kompletoi podin.
Hera e fundit që dy makinat e Ferrarit kishin mbyllur garën në dy vendet e para ishte ajo e Çmimit të Madh të Singaporit në vitin 2019 (Vettel i pari dhe Leclerc i dyti).
Piloti nga Montekarlo, i cili dhuroi “show” bashkë me Max Verstappen në mes të garës, duke parakaluar njëri-tjetrin në garën për vendin e parë, ndihet i lumtur dhe beson fort te titulli kampion.
“Është e pabesueshme të rikthehesh në krye, kjo falë të gjithë djemve në ekip. Jam shumë i lumtur, pasi dy vitet e fundit kanë qenë të vështira për ne. Ekipi na ka dhuruar një makinë fantastike, nuk mund të shpresonim për më mirë.
‘Pole position’, xhiro më e shpejtë dhe fitore: një nisje ëndrrash, jam realisht shumë i lumtur edhe për vendin e dytë të Sainz. Falënderoj tifozët tanë që na kanë mbështetur gjithmonë. U përpoqa të tregohesha i zgjuar duke përdorur DRS në mënyrën më të mirë.
Më vjen mirë që strategjia jonë funksionoi. Unë besoj te fitimi i Botërorit, ky është shkaku pse garoj”, deklaroi piloti 24-vjeçar nga Montekarlo.
Sa e njihni La Ligën?
Testoni njohuritë tuaja mbi kampionatin spanjoll...



