“Një galaktik që nuk shuhet kurrë”, ish futbollisti i Realit gjen ekip pas 4 vitesh
Është rritur në akademinë e Realit të Madridit dhe kulmin e karrierës e ka pasur pikërisht me Los Blancos, pasi ka qenë pjesë e grupit të “galaktikëve”, megjithatë ndonëse ka 41 vite mbi supe, nuk ka ndërmend të tërhiqet nga futbolli.
Bëhet fjalë për mbrojtësin spanjoll Raul Bravo, i cili ka firmosur me skuadrën e UD Beniopa, që militon në Divizionin e Dytë Rajonal të Valencias, dhe që ka prezantuar me krenari firmën me 41-vjeçarin.
Hera e fundit që Raul Bravo ka pasur një kontratë si profesionist, ka qenë më 2017-ën me grekët e Aris-it dhe që atëherë ka luajtur vetëm me shokët, megjithatë tashmë federohet sërish me një skuadër, ndonëse në nivele mjaft të ulëta të futbollit spanjoll.
Gjatë 6 sezoneve të tij me Realin, Raul Bravo ka fituar 2 kampionate, një Ligë Kampionësh, një Superkupë Europiane dhe një Kupë Interkontinentale, ndërsa tani do të provojë të japë shembullin e tij në një skuadër që ka në përbërje kryesisht futbollistë të rinj.



