Një muaj me ndeshje në transfertë/ Atletico Madrid, “i pambrojtur” larg “Wanda Metropolitano-s”
Në muajin mars, Atletico Madrid do të luajë katër takime, por tre prej tyre i luan në transfertë. Pikërisht, një muaj që pritet të ndikojë për të ardhmen e skuadrës madrilene në këtë sezon, pas shumë luhatjeve, por kalendari nuk e favorizon. Katër sfida, por vetëm njëra prej tyre do të luhet në “Wanda Metropolitano” ajo e 11 marsit përballë Cadiz-it dhe në këtë edicion, kampionët e Spanjës kanë vuajtur jashtë Madridit.
Fillimisht, skuadra e Simeones do të udhëtojë drejt Sevilla-s, për javën e 27-të ndaj Real Betis këtë të dielë. Pesë ditë më vonë, në Madrid do të zbarkojë Cadiz, ndërsa trajektorja rritet, sepse transferta e radhës është në tokën angleze, në “Old Trafford” përballë Manchester United, ndërsa saga e udhëtimeve mbyllet mbrëmjen e 19 marsit përballë Rayo Vallecano-s.
Nëse bëjmë një ndarje, Cadiz dhe Vallecano janë skuadra teorikisht të kalueshme në letër, por intepretimi i këtij sezoni nga skuadra e Simeones, nuk ka vend për asgjë të sigurt. Më pas, Real Betis është një sfidë direkte për zonën Champions në La Liga, ndërsa rëndësia e takimit me United është lehtësisht e kuptueshme, pasi në “Wanda Metropolitano”, Atletico nuk shkoi më shumë se barazimi 1-1 duke lënë të hapur çështjen e kualifikimit.
Diferenca midis ndeshjeve në shtëpi dhe në transfertë është i dukshëm, në kampionat, Atletico, në 13 ndeshje numëron 27 pikë, me 8 fitore, 3 barazime dhe 2 humbje, ndërsa në transfertë, skuadra e Simeones “stonon”, me 5 fitore, 3 barazime dhe 5 humbje, në total 18 pikë. Në transfertë ajo që është deri diku një risi është fakti që, Atletico po pëson rregullisht dhe tani më, gjithmonë edhe më shumë.
Në tokën europiane panorama ndryshon, Atletico fitoi dy nga tre ndeshjet që luajti në transfertë, ndërsa tani në “Old Trafford” do të luajë transfertën e katërt sezonale në Champions, por është një transfertë e rëndësishme, pasi në lojë është kualifikimi.
Në këtë sezon, Atletico Madrid qëndron në vendin e pestë me 45 pikë, pas 26 javësh, ndërsa objektivi i vetëm në La Liga mbetet zona Champions, pasi vendi i parë është plot 15 pikë larg.



