Kategoria Superiore

Një mungesë për Shehin ndaj Kastriotit, Tirana detyrohet të presë për titullin

Pas më shumë se gjashtë muajsh, Tirana rikthehet të luajë në Selman Stermasi me bardheblutë kryesues që presin një nga skuadrat më në formë të kampionatit, Kastriotin. Kryeqytetasit kishin mundësinë ta fitonin titullin pikërisht në shtëpinë e tyre, por barazimi i Laçit ndaj Kukësit, mban ende në lojë kurbinasit edhe pse vetëm falë një mundësie minimale në lidhje me golavarazhin.

Tirana aktualisht është 15 pikë para Laçit dhe në rast triumfi me Kastriotin, diferenca shkon në 18 pikë, po aq pikë sa kanë mbetur në lojë deri në fundin e kampionatit. Në këtë formë, Laçi qëndron në lojë pasi teorikisht mund t’i fitojë të gjitha takimet e mbetura dhe Tirana t’i humbasë ato, ndërsa kurbinasve iu duhet të mposhtin Tiranën me një diferencë prej katër golash. Këto llogari bëjnë që në Selman Stermasi të mos ketë një festë zyrtare në rast suksesi, megjithatë Tirana me një fitore i afrohet gjithnjë e më shumë titullit numër 26.

Sakaq, trajneri Orges Shehi nuk ka në dispozicion për ndeshjen me krutanët Erjon Hoxhallarin pasi mbrojtësi ka plotësuar numrin e kartonëve të verdhë ndërsa së fundmi kapiteni rinovoi kontratën me Tiranën.

Nga ana tjetër, Kastrioti është një nga skuadrat më në formë të momentit, me të besuarit e trajnerit Emiljano Çela që kanë regjistruar një seri prej pesë fitoresh radhazi dhe tashmë duken të sigurt në garën e mbijetesës ndërsa kërkojnë të evitojnë zonën Play Out.

Kujtojmë se në sfidën me Tiranën, trajneri Çela nuk do të mund të jetë në pankinë pasi në javën e kaluar u ndëshkua me të kuqe ndaj Kukësit ndërsa një mungesë e madhe do të jetë ajo e sulmuesit kryesor të krutanëve, Kaina Nunez i cili ka plotësuar numrin e kartonëve të verdhë.

Në tre përballjet e mëparshme të këtij sezoni është regjistruar nga një fitore për secilën skuadër teksa një sfidë është mbyllur në barazim 1-1.

Të Fundit

EVENTET NË SUPERSPORT

To Top
Evolve Web Agency Evolve Web Agency