“Një nga më të mëdhenjtë e lojës”, Lampard vlerëson CR7: E kotë të bëhen krahasime!
Frank Lampard dhe skuadra e tij Everton ishin dëshmitarë në golin e 700-të të Cristiano Ronaldos në karrierën e tij me klube (Sporting Lisbonë, Manchester United, Real Madrid, Juventus, Manchester United, pa përfshirë kombëtaren). Sulmuesi portugez realizoi golin e dytë për Manchester United në fitoren 1-2 ndaj Everton ndërsa më në fund, CR7 iu rikthye buzëqeshja pas disa ndeshjeve ku Erik ten Hag e “saldoi” në stol.
Pas sfidës, komplimentat ishte masive për Ronaldon për shkak të arritjes së veçantë ndërsa elozhet nuk i kurseu edhe Frank Lampard. Tekniku i Everton theksoi se Ronaldo është një nga lojtarët më të mëdhenj në histori ndërsa shtoi se është e kotë të bëhen krahasime mes tij dhe Messit.
“Është një arritje e madhe nga Ronaldo, është një nga lojtarët më të mëdhenj në histori. Kjo është një kohë e artë duke qenë se prezent është edhe Lionel Messi, por krahasimi mes të dyve nuk ka vlerë. Janë të dy të shkëlqyer dhe janë ndër më të mirët në histori.
Ata kanë arritur numra të jashtëzakonshëm, kur Ronaldo kishte mbetur në kuotën e 699 golave, u shndërrova në një tifoz të tijin në ndeshjen me Omonian në Europa League, por nuk ishte e thënë”, tha Lampard.



