Një portugez për stolin, Egjipti zgjedh trajnerin e ri
Egjipti dështoi përballë Senegalit në “finalen” për një biletë në Botërorin Katar 2022. Drejtuesit e Federatës Egjiptiane (EFA) shkarkuan trajnerin Ehab Galal dhe pas shumë bisedimeve kanë gjetur pasuesin e tij.
Ai është Paulo Sousa, një emër i njohur i trajningut europian. Portugezja Record shkruan se drejtuesit e futbollit egjiptian kanë arritur marrëveshjen përfundimtare me 51-vjeçarin portugez.
Së fundmi drejtoi brazilianët e Flamengos, teksa ka punuar edhe me klube si Fiorentina, Leicester City, Basel dhe Bordeaux. Egjipti do të jetë kombëtarja e dytë që Paulo Sousa do të drejtojë pas Polonisë (janar 2021-dhjetor 2021).
Tekniku luzitan do të udhëtojë ditën e martë drejt Kairos, kryeqytetit të Egjiptit, për të firmosur kontratën e re me kombëtaren ku luan Momo Salah, ylli dhe goleadori i Liverpoolit.
Në media të ndryshme u përfol edhe për një rikthim të Carlos Queiroz, por beIN Sports shkruan se trajneri portugez akuzoi bordin e drejtorëve të EFA-s se po përpiqen të njollosin imazhin e tij, duke bërë publikun të besojë se ai refuzon të kthehet në stolin e Egjptit.
TESTONI NJOHURITË TUAJA RRETH PREMIER LEAGUE
QUIZ/ Premier League 2021-2022 – Sa mirë e kujtoni sezonin që sapo u mbyll?



